“Po intimidohet ILD-ja”, Berisha i përgjigjet Artur Metanit: Je i përfshirë në aferën e incineratorëve, jep dorëheqjen

Pas reagimit të drejtuesit të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani se deklaratat politike të ish-kryeministrit Berisha ndaj tij janë presion ndaj institucionit që ai drejton, në një përgjigje drejtuar Metanit, Berisha i kërkon atij të japë dorëheqjen pasi është i përfshirë në aferën e incineratorëve.
Në përgjigjen e tij, Berisha shkruan se Metani nuk reagoi ndaj kërkesës së tij por i ka sugjeruar prokurorinë. Sipas ish-kryeministrit, kjo tregon se ai i ka pranuar akuzat e lëshuara ndaj tij. Ndërsa riktheksoi se Artur Metani përbën “një kërcënim madhor për hetimin e vjedhjes së shekullit.”
“Artur Metani në vend të reflektimit reagoi ndaj kërkesës sime, duke e konsideruar këtë kërkesë si presion, intimidim dhe që kërkesën ta paraqesë në Prokurori. Në reagimin e tij Metani, jo vetëm që nuk refuzoi dot asnjë nga akuzat e mia konkrete ndaj tij, por në një farë mënyre me injorimin e tyre ai i pranoi ato”, theksoi Berisha.
Berisha ka ripërsëritur kërkesën ndaj Metanit për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë pasi sipas tij, ai rezulton i përfshirë në aferën e incineratorëve.
“Unë kërkoj dorëheqjen e Artur Metanit, sepse mbi bazën e dokumenteve zyrtare, rezulton anëtar i rëndësishëm i organizatës kriminale të vjedhjes së shekullit. Në kohen kur ka qenë në detyrën e drejtorit të Departamentit Juridik të Këshillit të Ministrave, Artur Metani rezulton me fakte se është direkt dhe personalisht i implikuar në procedurat antiligjore kriminale të miratimit të kësaj afere nga Edi Rama dhe kabineti i tij”, thekson Berisha.
Ish-kryeministri shkruan më tej se Metani në kundërshtim me ligjin “ka drejtuar një mbledhje me 5 zëvendës ministra në Ministrinë e Mjedisit, për t’ju imponuar atyre miratimin e zëvendësimit të strategjisë së trajtimit të mbetjeve me depozitim, seleksionim, riciklim të hartuar me 4 milionë euro nga BE me strategjinë e djegësave, duke shpallur për këtë qëllim emergjencën mjedisore kombëtare me qëllim që të krijohet baza ligjore për vjedhjen e shekullit”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




