“Po mbroni politikisht Olta Xhaçkën”, Rithemelimi shkresë Kuvendit: Zbatoni vendimin e Kushtetueses

Politikë | 3 vite më parë

Grupi i “Rithemelimit” i ka nisur një shkresë Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës që të zbatojë vendimin e Kushtetueses për mandatin e Olta Xhaçkës, për të cilën ata pretendojnë se prej një viti e dy muaj, nuk ka gjetur zbatim.

Deputeti Gazment Bardhi pretendon se pengimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e mandatit të Xhaçkës, vjen pas evidentimit të faktit, sipas tij, se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik me firmë të kryeministrit Edi Rama.

“Ky rast merr përmasat e një mbrojtjeje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK, nga ku ka rezultuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhaçka, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të dhe duke përfituar me dokumente të falsifikuara statusin e investitorit strategjik nga Kryeministri Edi Rama dhe të drejtën për të zhvilluar një projekt me vlerë 5 milion euro në fushën e turizmit”, shkruhet në letër.

Nisur nga kjo Bardhi e konsideruan të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke penguar zbatimin prej 1 viti e 2 muaj të vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, dhe ka kërkuar zbatimin e këtij vendimi dhe thirrjen e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve për ta përfshirë në seancën më të afërt plenare dërgimin e çështjes së mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe për dijeni përfaqësive diplomatike në vendin tonë, ambasadës së SHBA, delegacionit të BE-së , ambasadës britanike, ambasadës gjermane dhe prezencës së OSBE, Bardhi rikujton se përfitimi i pronave me dokumente të falsifikuara nga investitorët strategjik është një rast i përsëritur.

“Ky është rasti i dytë i evidentuar në pak kohë, ku shtetit i grabiten me dokumente të falsifikuara pronësia në bregdet, për t’ia kaluar miqve apo bashkëpunëtorëve të Kryeministrit Edi Rama. Kujtojmë këtu se në një situata identike 390 mijë metra tokë në pronësi të shtetit në plazhin e Velipojës, u përfituan përmes falsifikimeve nga miku i Kryeministrit Edi Rama, shtetasi i arrestuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar Pëllumb Gjoka, dhe ku më pas Kryeministri Edi Rama i miratoi një projekt investimi strategjik me vlerë 52 milion euro”, thuhet më tej.

Në shkresë theksohet se Kuvendi duhet të përmbush detyrimet e tij, ndërkohë që presin nga SPAK që të hetojë në mënyrë të plotë dhe të gjithëanshme sesi këto dy subjekte private (Artan Gaçi dhe Pëllumb Gjoka), përmes dokumenteve të falsifikuara kanë kaluar filtrat e kontrollit të ekzekutivit dhe kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme