Zgjedhjet në Rusi, vëzhguesi i partisë Yabloko humbet ndjenjat gjatë ndalimit nga policia në Shën Petersburg

Europë | 35 minuta më parë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë ditës së dytë të zgjedhjeve parlamentare në Rusi, ku një vëzhgues i partisë liberale opozitare “Yabloko” ka humbitur ndjenjat gjatë shoqërimit nga policia në një qendër votimi në Shën Petersburg.

Lajmi u bë i ditur nga vetë forca politike opozitare përmes një deklarate zyrtare të postuar në rrjetin social Telegram. Sipas partisë, incidenti ka ndodhur pasi zyrtarët e qendrës së votimit e akuzuan vëzhguesin për tentativë “pengimi të zgjedhjeve” dhe thirrën forcat e rendit, të cilat “përdorën forcë” ndaj tij.

“Nuk është e qartë nëse ai mori ndihmë mjekësore në kohë pasi humbi ndjenjat,” thuhet në njoftimin e Yabloko, duke shtuar se më pas ai u dërgua në një stacion policie dhe u vu përballë akuzave për mosbindje ndaj urdhrave të zbatimit të ligjit. Deri më tani, autoritetet zyrtare ruse nuk kanë lënë ende një deklaratë lidhur me këtë incident.

Klima e zgjedhjeve dhe presioni mbi opozitën

Këto zgjedhje për Dumën Shtetërore shënojnë procesin e parë parlamentar që prej nisjes së konfliktit ushtarak në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Votimi treditor, i cili nisi të premten dhe pritet të mbyllet të dielën, zhvillohet në një ambient të kontrolluar rreptësisht, ku opozita reale mungon dhe fitorja dhe dominimi politik i Kremlinit shihen si të sigurta.

Partia “Yabloko”, e cila mbetet e vetmja forcë politike e regjistruar që ka guxuar të ngrejë zërin kundër luftës në Ukrainë, u godit rëndë kur Gjykata Supreme Ruse e përjashtoi nga listat zgjedhore muajin e kaluar, duke e lënë me vetëm pak kandidatë në zonat zgjedhore me një anëtar. Për më tepër, figura të shquara politike kundër luftës janë përballur me burgosje ose janë detyruar të largohen jashtë vendit para nisjes së fushatës.

Sipas drejtuesve të Yabloko dhe Partisë Komuniste – kjo e fundit kritike ndaj politikave qeveritare por e kujdesshme ndaj Presidentit Vladimir Putin – mjaft prej vëzhguesve të tyre janë larguar me dhunë apo janë detyruar të lënë qendrat e votimit përgjatë procesit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme