Policia bën bilancin për muajin qershor: Janë zhvilluar 116 operacione, u pezulluan 607 leje drejtimi

Policia e Shtetit ka bërë bilancin për muajin qershor ku sipas raportit janë finalizuar 116 operacione policore dhe janë arrestuar 80 persona të shpallur në kërkim.
Gjatë muajit qershor, policia ka vënë në pranga 168 drejtues mjetesh, nga të cilët 97 për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur dhe 71 për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, janë pezulluar 607 leje drejtimi, nga të cilat 429 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 114 për drejtim mjeti, në ndikimin e pijeve alkoolike dhe 64 për qarkullim në sens të kundërt me lëvizjen.
Muaji qershor ka patur si prioritet edhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë kuadër, me përdorimin e dhjetërave dronëve, janë zhvilluar paralelisht 10 megaoperacione në gjithë vendin, si rezultat i të cilave janë asgjësuar në total 44 620 fidanë dhe bimë narkotike që ishin kultivuar apo po tentohej të kultivoheshin në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Megaoperacioni i koduar “Rrjeti”, që goditi 4 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve, është treguesi më i mirë i besimit të shtuar të qytetarëve te Policia e Shtetit, si dhe i bashkëpunimit mjaft të mirë mes Policisë dhe organeve ligjzbatuese.
-Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 50 shtetas dhe u shpallën në kërkim 7 të tjerë, si dhe u sekuestruan sasi të drogave kokainë, heroinë, kanabis, armë zjarri dhe shuma të konsiderueshme parash.
Gjthashtu, vlen të përmenden 4 operacione që shkatërruan grupe kriminale për shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza.
Gjatë muajit qershor 2023, falë veprimeve të thelluara hetimore janë zbardhur një ngjarje kriminale që u raportua si aksidentale dhe 8 ngjarje të tjera në fushën e krimeve kundër personit dhe pronës.
Për paligjshmëritë në fushën e krimeve ekonomike janë finalizuar 11 operacione dhe janë goditur 134 raste.
7 operacione janë finalizuar për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve në banesa dhe në subjekte të ndryshme private dhe për vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale.
Gjatë muajit qershor ka patur një vëmendje të shtuar edhe për evidentimin dhe parandalimin e krimeve mjedisore, sidomos për parandalimin e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare, ato muzeale apo brenda vijës së verdhë në qendrat urbane.
Gjatë muajit qershor ka nisur operacioni i koduar “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave publike për pushesit. Gjatë fazës së parë u sekuestruan më shumë se 836 shezlongë dhe çadra dhe u vunë në hetim 4 administratorë subjektesh që kishin zënë hapësirën publike, duke vendosur çadrat dhe shezlongët, pa lejen përkatëse.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontolle në lokale dhe në ambiente të tjera që ofrojnë aktivitete me muzikë, në zbatim të planit të masave të hartuar për monitorimin e orarit të lejuar për vënien e muzikës, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike, që në disa raste është denoncuar në strukturat e Policisë, nga qytetarët. Për 21 raste të tilla të evidentuara janë proceduar penalisht administratorët e subjekteve dhe janë sekuestruar pajisjet që gjeneronin muzikën. Shërbimet e Policisë Rrugore, të mirëpajisura me fjalën e fundit të teknologjisë, kanë intensifikuar monitorimin e akseve rrugore, gjatë sezonit turistik, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.
Si rezultat i fuksionimit të Njesisë Policore Detare, është rritur ndjeshëm siguria detare përgjatë muajit qershor, pasi falë reagimit në kohë dhe me profesionalizëm të kësaj njësie, ka një kontroll më të mirë ndaj mjeteve lundruese dhe rritje të forcës goditëse ndaj paligjshmërisë.
Në këtë kuadër, në zbatim të masave të ndërmarra për zbatimin e ligjit dhe të rregullave të lundrimit, janë kontrolluar 321 mjete të ndryshme lundruese, përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.136 mjete lundruese u bllokuan pasi drejtoheshin në kundërshtim me ligjet dhe me rregullat e lundrimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




