Policia e Shtetit rrit ndëshkimet ndaj atyre që nuk mbajnë maska

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njofton me shqetësim për numrin e lartë të infeksioneve me koronavirus, Policia e Shtetit njofton me po kaq shqetësim për masat administrative në rritje ndaj qytetarëve që nuk mbajnë maska në ambientet e mbyllura dhe të hapura publike. Sipas saj
gjatë 24 orëve të fundit janë marrë 810 masa administrative për qytetarët që janë konstatuar pa maska mbrojtëse.
Ndërkaq janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 11 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të policisë. Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19. Ajo fton qytetarët që të mbështesin akoma më shumë Policinë dhe të raportojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri që cenon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




