Policia prangos “specialistin” e vjedhjeve të biçikletave në Tiranë

Një vjedhës “profesionist’ i biçikletave në kryeqytet, ka rënë në prangat e policisë. Komisariati i Policisë Nr. 3 në Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Mountain bike”, duke zbardhur dhe dokumentuar 7 vjedhje të ndryshme të kryera nga 31-vjeçari me inicialet V. S.
Vjedhësit i janë sekuestruar 3 biçikleta të dyshuara të vjedhura prej tij, si dhe një aparat celular.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm, për disa raste të vjedhjeve, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mountain bike”. Si rezultat i këtij operacioni, u ndalua shtetasi V. S., 31 vjeç, banues në Tiranë.”- njofton policia.
Nga veprimet hetimore të kryera nga policia, dyshohet se ky shtetas, gjatë 3 javëve të fundit, ka kryer 7 vjedhje, në zona të ndryshme të Tiranës.
“Konkretisht ai dyshohet se ka vjedhur:
– Më datë 18.05.2023, në rrugën “Qemal Stafa”, ka vjedhur biçikletën e një shtetaseje;
– Më datë 26.05.2023, në rrugën “Don Bosko“”, ka vjedhur dy biçikleta në pronësi të një shtetasi;
– Më datë 29.05.2023, në rrugën “Nikolla Jorga”, ka vjedhur aparatin celular të një shtetasi, ndërsa në rrugën “Jordan Misja”, ka vjedhur biçikletën e një shtetasi;
– Më datë 31.05.2023, në rrugën “Kol Xhumari”, ka vjedhur biçikletën e një shtetasi;
– Më datë 01.06.2023, në rrugën “Fadil Rada”, ka vjedhur një shumë parash, në një subjekt privat;
– Më datë 02.06.2023, në rrugën “‘Maliq Muço”, ka tentuar të vjedhë në një banesë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 biçikleta të dyshuara të vjedhura nga ky shtetas dhe një aparat celular.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”- përfundon njoftimi i policisë.
/rtsh.al/ a.m/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




