Policia Rrugore, brenda 48 orëve, gjobit 1684 drejtues makinash, heq 104 patenta, prangos 6 persona

Parakalimet e gabuara, mosvendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i aparatit celular, si dhe shpejtësia e lartë, ka çuar brenda 48 orëve në ndëshkimin e 1684 drejtuesish të makinavve dhe të motomjeteve nga ana e Policisë Rrugore nga Rruga e Kombit, Hani i Hotit, deri në Sarandë.
Lajmi bëhet i ditur nga Policia Rrugore. Të ndara sipas kategorive janë ndëshkuar me masë administrative, 645 drejtues automjetesh, për parakalime të gabuara; 381 për mosvendosje të ripit të sigurimit; 406 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të automjetit; 173 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
“Po gjatë monitorimeve dhe kontrolleve me përzgjedhje, bazuar dhe në analizat e riskut, shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë 48 orëve të fundit, kanë pezulluar 25 leje drejtimi, me afat nga 2 deri në 18 muaj, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe kanë vënë në pranga 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.”- njofton policia.
Për shpejtësi tej normave të lejuara, po brenda 48 orëve, iu është pezulluar leja e drejtimit, me afat nga 3 deri në 12 muaj, 79 drejtuesve të automjeteve.
“Nisur nga fluksi i shtuar në fundjavë, drejt zonave bregdetare dhe turistike, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë intensifikuar monitorimin e qarkullimit të automjeteve në të gjitha akset rrugore nacionale, ato kryesore rurale dhe në qendrat urbane, duke përdorur radarët automatikë, makinat inteligjente, dronët edukues dhe kamerat, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 757 drejtues të automjeteve të cilët janë konstatuar me shpejtësi tej normave të lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit.”- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




