Politika shqiptare, mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të artistit Mirush Kabashi

Presidenti Bajram Begaj i ka dhënë lamtumirën artistit të njohur Mirush Kabashi, përmes një mesazhi ngushëllimi.
Në një status në Facebook, pas lajmit të ndarjes nga jeta të aktorit të dashur për publikun shqiptar, presidenti shkruan se Kabashi ishte ai që ngriti peshë sallat kudo ku performoi.
Postimi i presidentit Bajram Begaj:
Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi!
Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi!
Mësohet se aktori ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së martës së 5 dhjetorit.
Lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit, e ka njoftuar familja e tij në një njoftim në Facebook-un zyrtar të aktorit.
“Lamtumirë Mirush”, Rama reagon për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur
“Lamtumirë Mirush”, Rama reagon për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi këtë të martë.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Rama ka ndarë një foto të artistit, ku shkruan shkurt: “Lamtumirë Mirush”.
Mirush Kabashi, I cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi I Kombit, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 75 vjeçare në orët e para të mëngjesit të së martës, njoftuan familjarët e tij.
Basha: Kabashi do të mbetet i paharruar, si një trashëgimi artistike e lënë ndër breza.
Postimi i Lulzim Bashas për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit
I hidhëruar nga lajmi i përcjellë nga familja Kabashi për largimin nga jeta i një prej yjeve më të shndritshëm të artit tonë, Mirushit.
Një ikonë që me pasion, talent dhe dashuri për artin dhuroi emocione përmes qindra roleve në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Virtuozizmi i tij do të mbetet i paharruar, si një trashëgimi artistike e lënë ndër breza.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit Mirush Kabashi.
Në një postim në rrjete sociale Veliaj shkruan: “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës, interpretuesit të rrallë të poezisë, të artistit Mirush Kabashi.
LAMTUMIRË i madhi Mirush!”
Ndarja nga jeta e Mirush Kabashit, Meta : “Nderit të Kombit”, një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi.
Pikëllim të madh për largimin në amshim të “Nderit të Kombit”, Mirush Kabashi, një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.
Interpretimet emocionuese të këtij artisti të jashtëzakonshëm, personazhet që jetësoi në film e teatër, si dhe trashëgimia e vyer artistike që fituan zemrat dhe merituan duartrokitjet e ngrohta të artdashësve do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë me respekt!
Ngushëllimet më të ndjera për familjen!
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të artistit të njohur Mirush Kabashi.
Me krijimtarinë e tij, shkruan kryeparlamentarja, u dha jetë veprave të mëdha artistike nga vendi dhe arti botëror.
“Na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë”, shkruan më tej, Nikolla.
Mesazhi i Lindita Nikollës:
Artisti i Merituar Mirush Kabashi u nda sot nga jeta. Por shqiptarët do ta kujtojnë për vepren dhe trashëgiminë e tij. Mirushi ishte një artist i madh. Me krijimtarinë e tij u dha jete veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror. Me talentin e tij, me mbi njëqind personazhet që krijoi në skenë dhe në ekran, Mirush Kabashi na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë. U prehsh në paqe, Mjeshtri ynë i madh dhe i paharruar!
Ish-kryeministri, Sali Berisha ka reaguar pas vdekjes së aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, i cili u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare në orët e para të mëngjesit të sotëm
Dielli perëndoi përgjithmonë për Mirush Kabashin, gjeniun e skenës.
Të dashur miq, Mirush Kabashi, Mbreti i skenës dhe filmit mbylli sytë përgjithmon. Arti, skena por dhe kombi sot janë në zi. Mirush Kabashi hyri në artin shqiptar si një fenomen i cili me aftësitë, talentin e rrallë në interperetimet në filma dhe teatër të mbi 100 personazheve të veprave dhe kryeveprave të autorve shqiptarë e botërorë do bëhej shpejt artisti më i dashur për publikun shqiptar, por dhe shumë i vlerësuar nga ai ndërkombëtar. I paarriteshëm në të gjitha rolet, por kulmor dhe i pavdekshëm me “Apologjinë e Sokratit” ai ndahet nga ne dhe niset në përjetësi si Sokrati i ditëve tona. Mirush Kabashi ishte gjithashtu interpretuesi më i fuqishëm i poezisë. Ai ishte një mbështetës i palëkundur i opozitës dhe demokracisë në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



