PPE do të shqyrtojë statusin e Partisë së Vuçiqit pas dhunës në Serbi

Serbi | 1 vit më parë

Partia Popullore Evropiane (PPE) ka konfirmuar se do të shqyrtojë pjesëmarrjen e Partisë Progresive Serbe (SNS) në grupimin e saj politik, pas ngjarjeve të fundit në Serbi që kanë përfshirë dhunë ndaj protestuesve në disa qytete të vendit.

Kjo situatë ka shkaktuar debat brenda PPE-së, duke ngritur pikëpyetje nëse partia e presidentit Aleksandar Vuçiq duhet të mbetet pjesë e familjes më të madhe politike në Evropë.

Presidenti i PPE-së, Manfred Weber, duke folur për mediat para seancës plenare të Parlamentit Evropian, deklaroi se grupi po ndjek me kujdes zhvillimet në Serbi.

“Ne nuk jemi të verbër ndaj ngjarjeve dhe imazheve të fundit nga Serbia,” tha Weber, duke nënvizuar se shqyrtimi i anëtarësisë së SNS-së do të zhvillohet në ditët në vijim.

SNS është anëtare e asociuar e PPE-së që nga viti 2016 dhe ka ruajtur një bashkëpunim të qëndrueshëm me këtë grup politik.

Megjithatë, disa ekspertë dhe zëra kritikë brenda PPE-së kanë paralajmëruar se ky bashkëpunim mund të legjitimojë praktika jodemokratike të partisë në pushtet në Serbi, veçanërisht në kontekstin e shtypjes së protestave dhe kufizimeve të lirisë së shprehjes.

Vendimi për të rishikuar pozicionin e SNS-së brenda PPE-së vjen në një moment kritik për marrëdhëniet politike në rajon dhe për angazhimin e partive evropiane ndaj standardeve demokratike.

PPE pritet të japë një qëndrim zyrtar në ditët në vijim, ndërsa vëzhguesit politikë ndjekin me interes zhvillimet që mund të ndikojnë në dinamikat politike të Ballkanit Perëndimor.

Partia Popullore Evropiane është grupimi më i madh politik në Parlamentin Evropian dhe konsiderohet një nga partitë më të fuqishme evropiane, pasi shumë liderë shtetesh anëtare të BE-së vijnë nga kjo familje politike.

PPE shpesh luan rol vendimtar në formimin e drejtimit strategjik të Bashkimit Evropian.

Ngjarjet në Serbi kanë shkaktuar reagime të forta nga eurodeputetët, ndërkohë që presidenti Vuçiq ka dërguar shpesh mesazhe ofenduese ndaj tyre.

Parlamenti Europian do tw diskutojw sot në Strasburg, ku një nga temat kryesore të ditës është përkeqësimi i situatës në Serbi.

Në rend të ditës është një debat me titull “Vala e dhunës dhe përdorimi i vazhdueshëm i forcës kundër protestuesve në Serbi”, në të cilin po marrin pjesë përfaqësues të Komisionit Europian dhe Këshillit të BE-së.

Përveç debatit zyrtar, në ambientet e Parlamentit do të zhvillohen edhe diskutime të tjera anësore. Njëri prej tyre është paneli “Serbia: Demokracia në udhëkryq”, i organizuar nga tre grupe politike – Socialistët dhe Demokratët, të Gjelbrit. Partia e Gjelbër Evropiane do të mbajë gjithashtu një konferencë për shtyp ku do të diskutojë “autoritarizmin në rritje të Presidentit Aleksandar Vuçiç dhe shtypjen e protestuesve”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme