Prag-zesoni, seminar me gjyqtarët dhe anësorët

Futboll Vendi | 4 vite më parë

Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka organizuar këtë fillimjavë seminarin e radhës, këtë herë me gjyqtarët e Kategorisë së Dytë në prag të edicionit të ri futbollistik 2022-2023. Ashtu si edhe me gjyqtarë dhe anësorët e kategorive të tjera, seminaret kanë konsistuar në testet fizike dhe teorinë, teksa u analizua paraqitja e tyre gjatë sezonit 2021-2022, problematikat e hasura gjatë ndeshjeve të kësaj kategorie dhe aspektet e punës së arbitrave që duhen përmirësuar. Instruktori i gjyqtarëve, Arjan Mali ka theksuar se gjyqtarët janë njohur me ndryshimet në rregullore dhe kanë testuar njohuritë e tyre në praktike me raste të diskutueshme përmes pamjeve video.

“Sektori i Arbitrimit është në vazhdimësi të seminareve të zhvilluara me arbitrat dhe asistentët, duke nisur me ato të kategorisë “Abissnet Superiore” e duke vazhduar me ato të Kategorisë së Parë dehe së fundmi po organizomë seminarin me arbitrat e Kategorisë së Dytë. Ky seminar ka për qëllim për të njohur arbitrat me të rejat e interpretimit të rregullores së lojës, që UEFA i dërgon çdo fillim sezoni. Një nga temat që u diskutua sot ishte rregulli 11 të ndryshuar, që ka të bëjë me pozicionin jashtë loje”.

“Pra, kur një devijim i topit është i vullnetshëm dhe quhet pasim, apo është prekje e paqëllimshme. Pavarësisht se seminari u zhvillua sot, këto informacione u janë dërguar kolegjiumeve që në muajin qershor, që arbitrat të njihen mbi interpretimet e reja të rregullores. Duke marrë shkas edhe nga sezoni i kaluar, ku pikat më të nxehta kanë qenë rastet e prekjes së topit me dorë dhe protestat, arbitrat marrin informacionin e duhur për t’i zbatuar në praktikë në këtë sezon të ri. U urojmë arbitrave një sezon të mbarë dhe t’i zbatojnë sa më mirë rregulloret e t’i interpretojnë siç duhet në fushën e lojës”, u shpreh Mali.

Qëllimi kryesor i këtyre seminareve është përmirësimi i nivelit të gjykimit shqiptar të të gjitha kategorive, teksa të gjithë gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë më tepër për ndryshimet e rregullave të lojës dhe të analizojnë momente konkrete gjatë një ndeshjeje me shembuj video.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme