“Pranvera Frankofone”, ambasadoret e Francës, Zvicrës dhe Greqisë për RTSH: Sjell shkëmbimin kulturor e gjuhësor

Muaji mars shënon dhe “Pranverën Frankofone” në Shqipëri, një aktivitet kulturor e gjuhësor që bëhet mes të gjitha vendeve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, qëllimi i të cilës është shkëmbimi kulturor mes popujve të ndryshëm dhe ruajtja e vlerave të solidaritet dhe demokracisë.
Në kuadër të këtij evenimenti, tre ambasadoret e Francës, Zvicrës dhe Greqisë, pjesë e Organizatës së Frankofonisë, kanë përcjellë 80 aktivitetet që do të zhvillohen në të gjithë Shqipërinë në kuadër të “Pranverës Frankofone”, në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH.
Ambasadorja e Francës në Tiranë, Elisabeth Barsacq tha se fokusi i këtij muajit të frankofonisë është shkëmbimi kulturor mes vendeve përmes aktiviteteve të ndryshme, por edhe shtimi i interesit të shqiptarëve për të mësuar gjuhën franceze.
“Si pjesë e organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë, një grup vendesh që kanë frëngjishten të përbashkët shënojnë këtë muaj në nder të saj. Aktivitetet do të zhvillohen në gjithë vendin, Tiranë, Lushnjë, Elbasan, Korçë, Shkodër, Vlorë, Berat. Koncerte, teatër, filma, ekspozita, arkitektura dhe madje edhe një ekspozitë të vogël arkeologjike. Vlera e gjuhës frënge është vetë demokracia dhe këto evenimente do të shërbejnë për shkëmbimin e këtyre vlerave”, tha Barsacq.
Për rritjen e interesit ndaj gjuhës frënge, ambasadorja Barsacq u shpreh se fokusi është në nxitjen e shkollave të mesme për mësimin e një gjuhe të dytë, ku përveç anglishtes të jetë edhe frëngjishtja.
“Në Shqipëri kemi vënë re një motivim të të rinjve për të mësuar frëngjishten. Objektivi i parë është Brukseli dhe jemi në fazën ku Shqipëria synon anëtarësimin në BE dhe frëngjishtja është shumë e dobishme. Objektivi i dytë është që të nxisim që në shkollat e mesme të ketë një gjuhë të dytë, ku gjuhë e parë do të mësojnë anglisht dhe ne nuk e kundërshtojmë, por të tregohet se ka edhe diversitet të gjuhës përmes mësimit të një tjetre”, tha ambasadorja Barsacq.
Edhe ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, si pjesë e vendeve që flasin gjuhën frënge, u shpreh se këto aktivitete nuk shërbejnë vetëm për shkëmbimin kulturor dhe gjuhësor, por edhe në zhvillimin e vendeve dhe forcimin e lidhjes mes tyre.
“Këtë vit Zvicra do të kontribuojë me dy koncerte, më 25 mars në Vlorë dhe 26 mars në Tiranë ku marrin pjesë këngëtar zviceran frankofon. Vitet e tjera kemi kontribuar me aktivitete të ndryshme muzikore, filma, arkitekturë, arkeologji për të tërhequr sa më shumë artistë që të vijnë këtu dhe të shkëmbejnë me publikun për kulturë dhe lidhje më të forta.
Shqipëria është në proces anëtarësimi në BE dhe çdo aktivitet shërben për forcimin edhe më të madh të lidhjeve dhe bashkëpunimit me vendet anëtare”, tha ambasadorja Huber.
Ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi vuri theksin në vlerat e demokracisë dhe filozofisë humanitare që përcjellë gjuha frënge.
“Për Greqinë frankofonia përben një dritare të marrëdhënieve me të gjithë botën, është një zbulim i ndjenjës së solidaritetit përmes të gjithë vendeve anëtare të organizatës ndërkombëtare frankofone.
Në Tiranë do kemi një aktivitet gastronomik që do të zhvillohet më 10 mars në Shkollën Franceze. Mesazhi është se frankofonia është trashëgimtarja e vlerave republikane dhe të filozofisë humanitare të cilën Greqia nuk ka rreshtuar asnjëherë së mbrojtur’, tha ambasadorja Kamitsi.
“Pranvera Frankofone” do të zhvillohen këtë vit në Shqipëri nga 1 marsi deri më 30 mars me aktivitete të ndryshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




