Pranvera rikthen alergjitë tek fëmijët, muaji mars shënon rritje të numrit të vizitave tek mjekët

Sociale | 4 vite më parë

Ndryshimet e motit rikthejnë qarkullimin e virozave. Gjithashtu stina e pranverës sjell çrregullime alergjike që shprehen kryesisht me shenja të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Muaji mars ka shënuar rritje të numrit të vizitave tek mjekët pediatër, teksa prindërit duhet të tregojnë kujdes të shtuar tek fëmijët që janë alergjik.

Me ardhjen e pranverës virozat nisin t’ia lënë vendin alergjive. Gjatë muajit mars është shënuar një rritje e numrit të vizitave tek mjekët pediatër ku fëmijët paraqiten me shenjat klasike si tështima apo acarim i syve.

Mjeku pediatër Ervin Xheka, thotë se prindërit fillimisht duhet të bëjnë dallimin mes infeksioneve respiratore dhe alergjive dhe në çdo rast të drejtohen për vizitë tek mjeku.

Xheka këshillon për kujdes të shtuar tek fëmijët që janë alergjik pasi mund të kalojnë shumë shpejt në probleme pulmonare.

Sipas mjekut gjatë kësaj periudhe kryhen mesatarisht 10 vizita në ditë, ku gjysma e tyre i përkasin alergjive.

Ai rekomandon prindërit që kanë fëmijë alergjik të shmangin daljet në parqe, apo ushqimet që shkaktojnë alergji.

Paralelisht me alergjitë, prezentë janë edhe infeksionet respiratore me temperaturë të lartë, që zgjat disa ditë si dhe skuqje të fytit, kryesisht tek fëmijët.

Gjatë kësaj periudhe ka dhe një rikthim të varicelës, ndaj mjekët sugjerojnë prindërit që të mos i neglizhojnë simptomat tek fëmijët e tyre dhe t’i dërgojnë ata në kopsht.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme