Presidenti Begaj pret senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters

Aktualitet | 3 vite më parë

Ballkani Perëndimor po përballet me sfida të rejasi dhe rritjen e aktivitetit kërcënues nga aktorë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon.

Në thelb ky ishte diksutimi i presidentit shqiptar Bajram Begaj, gjatë takimit të marten me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters. Ata po vizitojnë Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal.

Presidenti Begaj vlerësoi me këtë rast vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit Amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se vizitat e shumta kohët e fundit, jo vetëm nga zyrtarë të administratës amerikane të ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, por edhe të përfaqësuesve të dy dhomave të Kongresit, janë shprehja më e mirë e kësaj vëmendje në rritje.

 Presidenti Begaj, vlerësoi gjithashtu, marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nënvizoi se për Shqipërinë e shqiptarët, Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik dhe miku e aleati më i madh i tyre.

Kreu i Shtetit, përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukraninë, përmes rezolutave të ndryshme.

Në këtë kuadër, Presidenti Begaj, u ndal edhe tek sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe rritjen e aktivitetit kërcënues nga aktorë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen gjithashtu edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që agjencitë e specializuara amerikane po japin për përballimin e sulmeve kibernetike, që kanë si synim kryesor dëmtimin e infrastrukturës dixhitale të shtetit shqiptar.

Duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj, nënvizoi nevojën e përkthimit të dakordësimit publik të takimit të Ohrit mes palëve në një marrëveshje të detyrueshme ligjore e të njohur ndërkombëtarisht. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanie Perëndimor, nënvizoi presidenti  shqiptar Bajram Begaj.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme