Presidenti, Boçi: Rama e ka në xhep emrin! Balla e Alibeaj do shpikin formulën antikushtetuese

Deputeti Luçiano Boçi i ka konsideruar “false” negociatat mes grupit negociator të PS-së dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj për presidentin e ri.
Palët do të takohen për negociuar ditën e nesërme (18 maj) , ndërsa Boçi ironizon teksa shkruan në Facebook se Alibeaj dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla “do shpikin formulën antikushtetuese, jashtë negociatave politike”. Sipas Boçit emri i presidentit të ri tashmë është “në xhepin e Ramës”.
“‘Formula’ për zgjedhjen e Presidentit na paska ngecur e ngatërruar në dilemën Balla Alibeajn apo Alibeaj Ballën. Do e shpallin nesër e në vazhdim të dy “me transparencë” në sofrën “publike” të interesave. Merre me mend si ka degraduar çështja e zgjedhjes së kreut të shtetit!?Jashtë negociatave politike, siç e kushtëzon kushtetuta dhe brenda konsideratave të individëve politikë me prioritete krejt të ndryshme, por që asnjëri nuk e ka shqetësimin për Presidentin. Për ata, në fund të fundit, me kompetencat që e kanë katandisur, ai nuk ka pikë rëndësie. I pari në formulë (mendoni kë të doni si të parë) ka interes të sulmojë opozitën duke pastruar Ramën. I dyti (gjithmonë sipas zgjedhjes suaj) kërkon përçarjen e opozitës duke favorizuar Ramën. Askush nuk mund ta dallojë ku fillon njëri e ku mbaron tjetri. Dhe në fund kjo formulë pritet të pjellë Presidentin. Domethënë janë bashkë dhe e vetmja gjë që i ndan është se Balla ka mandatimin e Asamblesë e Grupit Parlamentar të PS, ndërsa Alibeaj ka mandatimin e Ramës dhe Ballës. Përsëri diferenca nuk është aq e madhe! Pothuaj sa emri që ka në xhep Rama për President!”, shkruan ai.
Delegacioni i PS dhe opozita do të zhvillojnë nesër një takim në orën 10:00, ndërsa Komisioni i Rithemelimit është përjashtuar nga maxhoranca për të marrë pjesë në negociatat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



