Presidenti FSHF-së, Armand Duka merr pjesë në inaugurimin e stadiumin të ri të Gramshit

Gramshi ka tashmë një stadium të ri, një investim të rëndësishëm në infrastrukturën sportive, i realizuar falë bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Gramsh.
Ceremonia e inaugurimit u zhvillua me praninë e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe Kryetarit të Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e futbollit dhe krijimin e më shumë mundësive për fëmijët dhe të rinjtë e qytetit.
Stadiumi i ri përfaqëson një vepër moderne sportive, që do t’u shërbejë ekipeve të Gramshit dhe grupmoshave të ndryshme, duke krijuar kushte më të mira për stërvitje dhe zhvillimin e aktiviteteve futbollistike.
Gjatë ceremonisë, Presidenti Duka u shpreh i kënaqur që ishte pjesë e inaugurimit të këtij projekti, duke falënderuar Bashkinë Gramsh dhe kompaninë që realizoi punimet. Ai theksoi se stadiumi është rezultat i një bashkëpunimi shumë të mirë mes FSHF-së dhe pushtetit vendor, si dhe një tjetër hap në zbatimin e strategjisë për t’u dhënë mundësi të barabarta fëmijëve që duan të luajnë futboll, kudo që jetojnë.
“Është vërtet kënaqësi për mua të jem pjesë e kësaj ceremonie inauguruese të këtij projekti madhështor për qytetin e Gramshit, i cili është realizuar si rezultat i një bashkëpunimi shumë të mirë mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Gramsh. Me këtë rast doja të falënderoj kryetarin e Bashkisë dhe të gjithë Bashkinë e Gramshit, si dhe kompaninë që ka realizuar punimet cilësore në këtë projekt, në shërbim të futbollit të qytetit të Gramshit.
Ky projekt është vazhdim i strategjisë së Federatës Shqiptare të Futbollit, por i futbollit në përgjithësi, për të qenë pranë dhe për t’i dhënë mundësi të barabarta, kudo e kujtdo, për fëmijët që duan të luajnë futboll”, – u shpreh Presidenti Duka.
Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së nënvizoi se ky qytet e meriton një infrastrukturë të tillë, si për fëmijët, ashtu edhe për tifozët e apasionuar pas futbollit.
“Vërtet ka pasur edhe ndonjë kritikë se pse ky investim në Gramsh. Ky investim në Gramsh sepse e meritojnë fëmijët e Gramshit, ky investim në Gramsh sepse e meritojnë tifozët e këtij qyteti, të cilët e duan futbollin dhe janë të apasionuar pas tij”, theksoi Duka.
Në fjalën e tij, ai falënderoi gjithashtu trajnerët e qytetit dhe zonës së Gramshit për punën dhe sakrificat e bëra ndër vite, si dhe prindërit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj fëmijëve.
“Uroj që kjo fushë të mbushet plot me zërat dhe ëndrrat e fëmijëve që duan të luajnë futboll. Pa dashur që të zgjatem, dua të falënderoj trajnerët e qytetit dhe të zonës së Gramshit për sakrificat që kanë bërë deri më sot dhe t’i uroj për fushën e re, që do të kenë kushte edhe më të mira për të punuar.
Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi, e cilësoi stadiumin e ri një ëndërr të kahershme të qytetit, që tashmë është bërë realitet falë mbështetjes së Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Presidentit Armand Duka.
“Është një ditë e veçantë për mua si kryetar i Bashkisë, pasi sot inaugurojmë stadiumin e ri, një ëndërr të kahershme të gramshiotëve. President, dëshirojmë t’ju dhurojmë këtë dhuratë simbolike, një fanellë e dedikuar për ju. Ka edhe një simbolikë të veçantë: data 7 nuk është thjesht data e ditëlindjes suaj, por përfaqëson shtatë mandatet, me urimin nga Gramshi për edhe shtatë të tjera.
Ky stadium ka qenë një ëndërr e kahershme, ndër breza dhe dekada, e shumë trajnerëve dhe futbollistëve. Sot jemi në një realitet të ri, të bërë të mundur falë mbështetjes bujare të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit”, u shpreh Ajazi.
Kryebashkiaku bëri të ditur se stadiumi do të vazhdojë të pasurohet dhe zhvillohet më tej, duke shprehur besimin se bashkëpunimi me FSHF-në do të vijojë edhe për ndërtimin e fushave ndihmëse, të cilat do t’u shërbejnë fëmijëve dhe grupmoshave të ndryshme.
“Jam i bindur se Federata Shqiptare e Futbollit dhe Presidenti Duka do të na mbështesin edhe në kërkesën tonë të re për ndërtimin e disa fushave ndihmëse për fëmijët e vegjël. Sepse ky stadium nuk është vetëm i ekipit të parë. Ky stadium është i të gjitha grupmoshave.
Sot në Gramsh kemi grupmosha të ndryshme, 13, 15 vjeç dhe të rritur, ndërsa jemi rikthyer edhe me ekipin U-17. Do të vazhdojmë të mbështesim fëmijët dhe t’i orientojmë drejt sportit, veçanërisht futbollit, në mënyrë që të qëndrojnë sa më larg veseve të këqija. Sot në Gramsh janë më shumë se 250 fëmijë që aktivizohen në grupmoshat e futbollit. Prandaj na duhen edhe terrenet sportive dhe investimet në infrastrukturë”, deklaroi Ajazi, duke falënderuar FSHF-në për mbështetjen e dhënë deri më tani.
“Uniforma Ime”, mbështetje konkrete për fëmijët e futbollit
Inaugurimi i stadiumit të ri u shoqërua edhe me nisjen e edicionit të ri të projektit të FSHF-së “Uniforma Ime”, përmes të cilit fëmijët që aktivizohen në shoqatat dhe akademitë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan do të pajisen falas me uniforma dhe bazë materiale sportive.
Ky projekt është një tjetër investim i rëndësishëm i Federatës Shqiptare të Futbollit në mbështetje të futbollit të fëmijëve, duke synuar krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e tyre dhe lehtësimin e barrës financiare për familjet. Shpërndarja e uniformave dhe pajisjeve sportive do të ndihmojë që fëmijët të përqendrohen te stërvitja, loja dhe ndjekja e ëndrrave të tyre sportive.
Presidenti Duka e vuri theksin te lidhja mes investimit në infrastrukturë dhe projektit “Uniforma Ime”, duke theksuar se të dyja nismat kanë të njëjtin qëllim: t’u japin fëmijëve mundësi të barabarta për të luajtur futboll, pavarësisht vendit ku kanë lindur apo jetojnë.
“Në kuadër të kësaj strategjie të Federatës së Futbollit ishte edhe shpërndarja falas e uniformave të projektit ‘Uniforma Ime’, në mënyrë që fëmijët e Gramshit, me këtë infrastrukturë dhe këto uniforma, të ndjekin ëndrrat e tyre njësoj si çdo fëmijë tjetër, pavarësisht vendit ku kanë lindur”, tha Presidenti i FSHF-së.
“Dua të falënderoj shumë prindërit, të cilët kanë sakrifikuar shumë. Uroj që edhe ne t’u kemi ardhur në ndihmë, nëpërmjet projektit ‘Uniforma Ime’, për t’i bërë së bashku ëndrrat e fëmijëve realitet. Ta gëzoni stadiumin! Uroj të kemi sa më shumë fëmijë që luajnë futboll dhe sa më shumë rezultate pozitive për ekipin e Gramshit”, u shpreh kreu i qeverisë së futbollit.
Edhe Kryetari i Bashkisë Gramsh nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së fëmijëve dhe krijimit të kushteve për t’i afruar ata me sportin. Ai falënderoi prindërit, mësuesit dhe trajnerët që kanë kontribuar ndër vite në formimin e futbollistëve të qytetit, duke theksuar se investimet në terrene sportive janë të domosdoshme për t’i dhënë mundësi më shumë se 250 fëmijëve që janë aktualisht pjesë e futbollit në Gramsh.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




