Presidenti i ri, Alibeaj: Opozita do propozojë 4 emra, do konsultohemi edhe me aleatët

Politikë | 5 vite më parë

Zgjedhja e emrave për të propozuar për President të ri  ka bërë që kreu i grupit të PD, Enkelejd Alibeaj të zhvillojë takime të intensifikuara si me deputetë demokratë dhe me grupet e tjera opozitare.  Opozita do të ketë të drejtën të propozojë emrat për presidentin në dy raundet e ardhshme dhe në mbledhjen e PD është arritur në dakordësinë që në total opozita të propozojë 4 emra, ku dy do të jenë nga grupi i PD dhe 2 nga Fatmir Mediu dhe Mesila Doda dhe më pas të dilet me një kandidaturë dhe figurë që të përfaqësojë të gjitha palët.

Grupi i Rithemelimit nuk mori pjesë në mbledhje pasi e cilëson si pazar dakordësinë e arritur mes Alibeajt dhe PS për zgjedhjen e presidentit, por Alibeaj tha se PD është duke dhënë kontributin për të zgjedhur figurën që do përcaktojë unitetin e shqiptarëve. Grupi i PD do të bëjë një tjetër mbledhje nesër pasdite për të përmbyllur procesin e konsultimit me deputetët e PD-së për procesin si edhe për emrat, ndërsa Alibeaj nuk përmendi emra kandidatësh pasi sipas tij këto do të dalin në një moment të dytë pasi aktualisht rëndësi ka procesi.

“Siç besoj se do serioziteti i këtij procesi, në mënyrën më serioze jemi mbledhur sot. Sot u mblodhëm në vijim të asaj të djeshmes, dokumentit të miratuar që dje mori dakordësinë. Diskutuam me sensin më të lartë të përgjegjësisë. Ishte unison i të 26 kolegëve që të gjitha diskutimet tona, tua bëjmë me dije që në një mbledhje tjetër nesër pasdite për të diskutuar të gjitha këto çështje. Ne nuk kemi as ngut mes nesh për ti konsultuar të gjithë deputetë e PD të shprehin opinionin e tyre për procesin, por edhe për emrat. Do të konsultohemi me të gjithë edhe me aleatët. Nesër pasdite do të ketë një tjetër mbledhje”, tha Alibeaj.

Alibeaj shpjegoi edhe procedurën e përzgjedhjes së presidentit, ku nga 4 emra opozita do të dalë me 1 kandidat të përbashkët.

“E drejta për të propozuar është e PD. Hapi i dytë është që i ofrohet palës tjetër që mes katër emrave, të zgjidhin dy. Dhe ky është një mekanizëm që jo vetëm që procesi është i përbashkët. Hapi i tretë është që midis dy kandidaturave duhet zgjedhur një, për të shkuar me një kandidaturë të vetme e mbështetur nga të gjitha palët”, tha ai.

Në mbledhjen e grupit të PD kanë marrë pjesë 26 deputetë, ndërsa Alibeajt i duhen 20 firma për të propozuar emrin e 2 kandidatëve për president që do t’i paraqesë në dy raundet e ardhshme.

Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00, ku priten emrat nga opozita. Raundi i parë dështoi pa asnjë emër për presidentin e ri të Shqipërisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme