Presidenti Ilir Meta sulmon maxhorancën dhe ndërkombëtarët në Tiranë për lidhje me mafian

Politikë | 6 vite më parë

Presidenti shqiptar Ilir Meta ka sulmuar ashpër përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, por edhe të maxhorancës që sipas tij synojnë të pastrojnë paratë e mafias në Shqipëri. “Përballë nesh është një bandë ndërkombëtare dhe një bandë lokale që ka marrë përsipër të pastrojë paratë e “Ndraghetas” dhe të gjithë mafies ndërkombëtare” tha zoti Meta të hënën gjatë një konference për shtyp.
Presidenti tha se si simbol i unitetit kombëtar dhe garant i Kushtetutës, bashkë me popullin do ta mbrojë atë nga shtypja dhe dhuna.
Presidenti Meta ka akuzuar ndërkohë kryeministrin Rama për veprime të dhunshme, duke e paralajmëruar se do të marrin si përgjigje veprime të paimagjinueshme. Akuzat e tij zoti Meta i bëri duke komentuar përplasjen mes militantëve të PD dhe PS në në Elbasan “Ditën e Verës”.”Eksperimente të tilla me grupe paramilitare nuk duhet të ekzistojnë sepse do të ketë veprime të paimagjinueshme për ata që duan të terrorizojnë shqiptarët” tha ai.
Pas këtyre deklaratave ka reaguar kryeministri Edi Rama. “Sa herë Ilir Meta del,flet,bërtet,shan, lajthit,aq herë e bën të qartë se zgjedhja e 25 prillit është një zgjedhje mes Drejtësisë dhe Ilir Metës” shkruajti ai në rrjete sociale. Sipas zotit Rama “Çdo votë për LSI është një votë kundër Drejtësisë dhe çdo votë për PD është një votë për Ilirin e Saliun; Luli thjesht ha përshesh!”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme