Presidentja e KE: Ballkani Perëndimor gjithnjë e më afër BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është gjithnjë e më afër Bashkimit Europian. Në fjalën e saj në seancën zyrtare të Parlamentit Evropian në 20 vjetorin e zgjerimit të BE-së u shpeh se dëshira për të bashkuar Evropën e për të kompletuar Bashkimi, është më e rëndësishme se kurrë më parë.
“Më 1 maj 2004, paraardhësi im, Presidenti Prodi, shqiptoi fjalë profetike. Ju thatë: ‘Zgjerimi i sotëm është i pesti dhe më i madhi në historinë e Bashkimit dhe nuk do të jetë i fundit.’ Kishit shumë të drejtë. Që atëherë, tre vende të tjera i janë bashkuar Bashkimit tonë. Dhe sot, dëshira për të bashkuar Evropën dhe për të kompletuar Bashkimin tonë është më e rëndësishme se kurrë më parë. Ballkani Perëndimor po afrohet gjithnjë e më shumë me ne. Ne morëm vendimin historik për të nisur negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërkohë që populli i Gjeorgjisë nuk i fsheh as ëndrrat e tyre evropiane”, tha presidentja e KE-së.
Në fjalën e saj, Ursula von der Leyen u ndal dhe te lufta Rusi-Ukrainë. Presidentja e KE-së bëri thirrje për sigurimin e Kievit me mjete për të mbrojtur veten me qëllim përballimin e luftës së Putinit.
“Sepse ajo që ndodh në Ukrainë do të formësojë të ardhmen e Bashkimit tonë përgjithmonë. Nuk mund të anashkalojmë dhe nuk mund të mbivlerësojmë se Rusia përbën një kërcënim ekzistencial jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën. Miqtë e mi, ka vetëm një mënyrë për t’u përballur me këtë. Ka vetëm një gjuhë që Putini kupton. Dhe kjo është: sigurimi i Ukrainës me mjete për të mbrojtur veten”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




