Prodhimi i lulediellit në Lushnjë/ Fermerët: Ka abuzime në çmime, autoritetet të kontrollojnë

Sociale | 3 vite më parë

Ndryshe nga gruri që ka shënuar rënie, prodhimi i lulediellit këtë vit ka çmim të lartë.

Në Grabian të Lushnjës ka përfunduar korrja, por sfidë për fermerët mbetet shitja. Këtë e konfirmon, Shefki Çekja, i cili tregon se ka një prodhim prej 25 hektarësh, që po paketohet e bëhet gati për shitje. 

“Edhe pse ka çmim, prodhimi është shumë i ulët, sepse ka pasur defektin që në maj lulen, sikurse grurin, e zuri vrugu,” thotë fermeri.

Shefkiu tregon se një ndihmë e madhe për të janë dhe skemat subvencionale të qeverisë, për lëndën e parë dhe naftën. Por nga ana tjetër, ai i bëri thirrje autoriteteve përkatëse që të monitorojnë tregjet pasi ka abuzime nga ana e shitësve. 

“Askush nuk mund ta imagjinojë se çfarë heq fshatari që kur e mbjell, e rrallon, sa herë e gërmon me dorë tokën, do e kultivojë, do i hedhë plehrat, të cilat janë shumë shtrenjtë,” shton fermeri Çekja.

Mbi 1000 hektarë sipërfaqe mbillet me grurë, luledielli dhe misër në Grabian. Tokat e ish-kënetës së Tërbufit janë të varfra me lëndë ushqyese, ndaj fermerët prej disa dekadash janë kultivuesit kryesorë të foragjereve në vend.

Gazetar: Marjo Merhori

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme