Profesioni e kthen në vendlindje, mjekja Irini Ligu zgjedh t’u shërbejë qytetarëve gjirokastritë
Mjekësia ka qenë dëshira e saj e fëmijërisë prej të cilës nuk hoqi dorë, derisa sot ka veshur bluzën e bardhë. Irini Ligu, mes specialiteteve të shumta, ka zgjedhur ORL dhe së fundi i është bashkuar stafit mjekësor të spitalit rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër.
“Kam pasur mundësi të zgjedh çdo degë duke qenë se mjekësia është më e kërkuara. Po e kam pasur qejf që kur kam qenë e vogël. Gjithmonë e mendoja veten vetëm në këtë fushë. Në asnjë fushë tjetër nuk e kam parë veten time. Kështu që është diçka që e bëj me pasion. E kam shumë qejf dhe jam aty ku kam dashur që të jem”, u shpreh ajo.
E ardhur me një kontratë 3-vjeçare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Irini zgjodhi të kthehet pikërisht aty ku lindën ëndrrat e saj të para për mjekësinë. Për të, nuk është thjesht një detyrë, por përmbushja e një misioni për t’u shërbyer banorëve të vendlindjes.
Mendoj se është më mirë që ta jap kontributin këtu në vendin tim.
“U ktheva në Gjirokastër edhe me kontratën trevjeçare që është nga ministria, por edhe për të dhënë kontributin në vendin tim, për të qenë edhe afër familjes time. Po pse jo, edhe për të punuar ndoshta dhe për më gjatë, jo vetëm për kontratën që na përcakton ministria, por dhe për më gjatë për të dhënë kontributin në qytetin tim për njerëzit e afërm edhe për të tjerët”, tha mjekja.
Kthimi i specialistëve të rinj në spitalet rajonale mbetet një nga prioritetet e sistemit shëndetësor. Gjatë dy viteve të fundit spitalit të Gjirokastrës i janë bashkuar 15 mjekë të rinj të specialiteteve të ndryshme.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




