“Profesionisti”/ Nata e dytë në Korçë, shfaqja vjen me mesazhin se një person i vetëm, mund të na ndryshojë jetën

Kulturë | 4 vite më parë

Shfaqja “Profesionisti” vjen me mesazhe sa reale, aq edhe tronditëse për jetën e një njeriu dhe një shoqërie.  Mesazhet e përcjella nga kjo shfaqje, nuk qëndrojnë vetëm në faktin se çfarë ka shkaktuar ish sistemi komunist, por kjo dramë ka një shtrirje shumë të gjerë.

Ajo krahason vlerat e atij sistemi me të sotmin, krahason personazhet, ata që i shërbyen atij sistemi me personazhe që i shërbejnë sot këtij sistemi por gjithashtu pasqyron edhe raportin prindër-fëmijë dhe faktin se ndonjëherë, edhe vetë prindërit, gjërat e duhura mund t’i thonë në kohën e gabuar.

 Pjesa që trajton përballjen tonë me të shkuarën komuniste, është ndërtuar nga regjisori i mirënjohur Leka Bungo, mbi figurat e aktorëve të mirënjohur Viktor Zhusti dhe Astrit Hasani, një ish punonjës sigurimi dhe një shkrimtari, duke rrëfyer historinë e tij personale.

Të vendosur përballë njëri-tjetrit, ata zbulojnë rolin që kanë pasur në jetën e tyre. Në zyrën e Teodorit, ose Teos, siç e quante nëna e tij, vjen Lluka, tanimë një shofer taksie e dikur, një agjent i sigurimit të shteti.

Për 18 vite me rradhë, ai ishte ngarkuar të vëzhgonte nga afër Teon dhe gjithë historinë e kishte botuar në një libër me titullin “Komedi e trishtë”. Lluk Feraj i sjell një valixhe, në të cilën është e gjithë jeta e tij parë me sytë e agjentit, me arkiva e ngjarje qe implikojnë të dy. Diskutimet dhe debatet, përcillen me situata komike, ngjarje e cila ndodh pikërisht në ditën e lindjes së Teo-s, në 55 vjetorin e tij.

Publiku e mirëpriti lojën e aktorëve Viktor Zhusti, Astrit Hasani, Artan Islami dhe Matilda Avduli duke e vlerësuar si aktual, mesazhin e përcjellë nga shfaqja

Shfaqja “Profesionisti” është ndalur më herët edhe në qytetet Vlorë e Elbasan ndërsa do të shfaqet edhe të dilën në teatrin e Korçës.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme