Projekti i Korridorit të 8-të, Xhaçka në Itali: Angazhim për ta bërë realitet

Politikë | 3 vite më parë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë këtë të enjte (27 korrik) në një takim të zhvilluar në Brindisi të Italisë ku u diskutua në lidhje me projektin e Korridorit të 8-të.

Të pranishëm në takim ishin edhe Ministrat e Jashtëm të Italisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ndërsa në konferencën e përbashkët për shtyp, Xhaçka tha se ka angazhim për ta bërë këtë ide realitet.

Sipas Xhaçkës Korridori i 8-të nuk është vetëm një projekt infrastrukturor, por edhe një mekanizëm bashkëpunimi për ta kthyer detin Adriatik “në një det që na bashkon”.

“Jemi shumë të kënaqur që Korridori 8 po merr kaq shumë vëmendje dhe ka kaq shumë angazhim që më në fund ta bëjmë këtë ide të madhe realitet. Brindisi dhe Bari kanë qenë historikisht për ne port për në perëndim dhe Europë dhe në Shqipëri, Durrësi dhe Europa kanë qenë për Italinë portat për  në Ballkan dhe në lindje. Po Korridori i 8-të që po diskutojmë sot është më shumë se një projekt infrastrukture. Ne po diskutojmë sot edhe për një mekanizëm  bashkëpunimi dhe integrimi që do të na ndihmojë ta kthejmë detin Adriatik në kuptimin e plotë të fjalës në një det që na bashkon ne. Jam shumë e inkurajuar nga angazhimi i partnerëve dhe jam e sigurt që përmes këtyre përpjekjeve do ta çojmë këtë ide drejt përmbushjes për të mirën e popullit dhe vendeve tona”, tha Xhaçka.

Korridori i 8-të është një aks komunikacioni nga Shqipëria përmes Maqedonisë së Veriut për në Bullgari, që do të krijonte lidhjen me perëndimin ndërmjet shteteve të Ballkanit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme