Projekti “Moti i Madh”, Altimari: Ritet tona 5 shekullore arbëreshe duhet të jenë pjesë e UNESCO-s

Kulturë | 3 vite më parë

Në javën kulturore të Italisë, nuk mund të mungonte një ditë kushtuar e gjitha historisë dhe kulturës arbëreshe. Një nga aktivitetet e kësaj dite ishte edhe “Trashëgimia kulturore e arbëreshëve, urë lidhëse historike në marrëdhëniet italo-shqiptare dhe burim kryesor për të ardhmen e Arbërisë”, ku ishin të pranishëm studjues arbëreshë, autoritetet vendore të komuniteteve arbëreshe dhe një sërë përfaqësuesish të traditave të tyre.

Në një intevistë për RTSH-në, studiuesi i mirënjohur arbëresh, njëkohësisht edhe shef i Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë tha se projekti “Moti i madh”, i cili pritet të dorëzohet në UNESCO për t’i regjistruar ritet arbëreshe si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit, është drejt përfundimit.

Mungesa e një institucioni që mbron të drejtat e arbëreshëve mbetet ende një sfidë për komunitetin arbëresh në Itali. Ndaj sipas prof. Altimarit, nevojitet ndihma e institucioneve përkatëse shqiptare që të bëhet e mundur. 

Kur flitet për trashëgiminë kulturore arbëreshe, një nga traditat që na vjen ndërmend, janë kostumet tradicionale arbëreshe, që ende ruhen me fanatizëm edhe sot e kësaj dite.

“E vizitoj Shqipërinë me shumë kënaqësi, sepse këtu ndihem si në shtëpi. Sa herë që vij në Shqipëri është si të kthehem në origjinën time sepse në të gjitha qytetet tona arbëreshe jemi rritur të shtyrë me dashurinë për rrënjët tona, kulturën dhe traditën tonë. Kjo është veshja tradicionale arbëreshe e martesës. Quhet kostumi i shndritshëm dhe është i gjithi i punuar me flori dhe mëndafsh. Në përgjithësi janë gjyshet që i përcjellin traditat tek fëmijët dhe nipërit, kështu që ne i ruajmë traditat që na përkasin. Midis nesh ne flasim gjuhën arbëreshe, por në qytete të veçanta kur theksi është pak i ndryshëm, disa fjalë ndryshojnë, megjithatë, ka ngelur gjuha e vjetër shqiptare”.

“Është hera e parë që vij këtu dhe jam shumë e emocionuar. Është një emocion i përshkrueshëm sepse sapo erdhëm ishte një pritje e ngrohtë. Brenda 2 ditëve mund të them se jam e dashuruar me këtë vend.

Unë e dua origjinën time, traditat, janë pjesë e qenies time dhe e vendit tim. Edhe pse unë jetoj në një qytezë të vogël, ku janë rreth 100 arbëreshë, ne jemi të bashkuar për të përcjellë në vazhdimësi traditat tona. Në gjuhën e përditshme ne flasim arbërisht”.

Ky aktivitet u organizua nga Ambasada e Italisë në Tiranë, në bashkëpunim me Qarkun e Calabria-s, Fondacionin “Instituti Rajonal i Komunitetit Arbëreshë në Kalabri“ dhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve Arbëreshe.

Gazetare: Ornela Ceka

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme