Projektligji i PD-së për dosjet e ish- Sigurimit, Alibeaj: Hapja e dokumenteve për të gjithë, shmang abuzimin dhe shantazhin

Politikë | 4 vite më parë

Dosjet e ish- Sigurimit të Shtetit, si dhe projektligji i PD-së për “Lustracionin”, kanë qenë sot objekt i punës së komisionit parlamentar të Ligjeve. Ka qenë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili ka mbrojtur projekligjin e demokratëve në këtë komision, që lidhet me “Të Drejtën e Informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Po cilat kanë qenë argumentat e Alibeajt në mbrojtje të projektligjit?

Sipas tij, pika e parë është debati, lidhur me faktin nëse dosjet do të duhet hapen për këdo, apo duhet të jetë vetëm Autoriteti i Dosjeve që duhet t’i hapë, i cili, sipas tij, “ka rënë pre edhe e shantazheve”?

“Janë disa ligje që do të duhet të bien, pasi përjashtojnë të drejtën e çdo individi për informim për dosjet e Sigurimit. Nëse miratohet amendamenti ynë, të gjitha këto dispozita minimalisht bien. Këtë duhet ta diskutojmë që tani, pasi nuk mund t’i rikthehemi edhe njëherë. Hapen dosjet për këdo dhe për secilin me kërkesë të pamotivuar sipas ligjit për motivim?!”,- ka pyetur komisionin, Alibeaj.

Sipas tij, mazhoranca kërkon që Autoriteti të mos pengohet nga komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”, dhe kjo kërkesë erdhi si rezultat i dokumentacionit të korrikut që doli nga Autoriteti, ku bënte fjalë për çështjen I.M.

Dokumentet si shantazh

Por, sipas Alibeajt, ishte ky moment, i cili bëri që PD të depozitonte një projektligj, që heq çfarëdolloj mundësie që këto dokumente të përdoren si shantazh.

“Autoriteti i Dosjeve, ose kushdo tjetër, nuk duhet të jetë e vetmja dorë që të shohin dosjet, sepse lehtësisht mund të bien pre e shantazheve politike. Si i bëhet që me dosjet të hiqet mundësia e abuzimit? Ka vetëm një mënyrë, të mos jetë Autoriteti e vetmja dorë që i sheh, por çdo person i Republikës së Shqipërisë që ka të drejtën të njihet me dosje e Sigurimit të Shtetit. Ky është momenti”- theksoi Alibeaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme