Pronat e konfiskuara në Golem të Kavajës, dy godina, 3 dhe 6 kate, kthehen në spitale dhe shërbime shëndetësore

Për të gjithë ndërtuesit, personat të cilët kanë kryer investime në kundërshtim me ligjin, ose ndërtimet e tyre janë kryer nëpërmjet parave të krimit, duket se nuk ka asnjë perspektivë që ato t’i gëzojnë, pa u “hyrë gjemb në këmbë”.
Dy godina të konfiskuara nga shteti në Golem, 3 dhe 6 kate, nuk do të jenë më në funksion të turizmit, por do të jenë në funksion të shërbimit social dhe shëndetësor.
Qeveria, bazuar në ligjin për pronat e paluajtshme të shtetit, me propozim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, vendosi sot zyrtarisht kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për Shërbimin Social Shtetëror, të objekteve “Godina nr. 1 (3 kate + 1 kat nëntokë)” dhe “Godina nr. 3 (6 kate + 1 kat nëntokë)”, të konfiskuara, për interes publik, me adresë njësia administrative Golem, Bashkia Kavajë.
Vendimi përcakton se autoriteti përfitues, duhet të aplikojë nëpërmjet sistemit “e-leje” për miratimin e lejes së zhvillimit, si dhe lëshimin e certifikatës së përdorimit.
Autoritetit përfitues, i ndalohet t’i tjetërsojë, t’u ndryshojë destinacionin apo t’ua japë në përdorim të tretëve objektet e përcaktuara sa më sipër.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
/rtsh.al/ a.meta/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




