Pronat e ushtrisë për investitorët strategjikë, Presidenti Begaj: Ja e vërteta e Planit të Përhapjes

Politikë | 4 vite më parë

Kur Bajram Begaj u zgjodh President, pati zëra që ky vendim do të zgjidhte dhe një konflikt të qeverisë me presidentin paraardhës per çështjen e pronave të ushtrisë. A do të firmosë presidenti Begaj heqjen e 100 ha prona të ushtrisë, kryesisht në bregdet për t’i lënë ato si hapësira zhvillimi privat? Presidenti mohoi se në tryezën e tij ndodhet një propozim i tillë, por ai tha se ka besim tek ushtarakët profesionistë dhe me integritet që studiojnë dhe propozojnë Planin e Përhapjes dhe Vendosjes së Forcave të Armatosura. Presidenti Begaj është në fillim të mandatit të tij 5 vjeçar, por ai e ka të qartë se për çfarë kërkon të mbahet mend. “Dëshiroj të mbahem mend si Presidenti i Republikës që i shërbeu atdheut me përgjegjshmëri, ndershmëri, integritet.”

Elona Meço: Përpara se t’ju bëj një pyetje të fundit, kam nevojë per një sqarim për një tjetër kompetencë tuajën.
 
Presidenti Bajram Begaj: Siç duket nuk paskam pak, edhe sikur të ma marrin ligjin e dekoratave.
 
Elona Meço: Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ju mund të firmosni ose jo për të nxjerrë nga Plani i Përhapjes së Ushtrisë mbi 100 ha tokë në bregdet që sot i përket ushtrisë. Do ta bëni ju këtë për t’i lënë rrugë të lirë zhvillimit të kësaj pasurie?
 
Presidenti Bajram Begaj: Kush e thotë këtë që unë kam të drejtë të heq nga Plani i Përhapjes 100 ha tokë?
 
Elona Meço: S’e keni në kompetencë?
 
Presidenti Bajram Begaj: Atëherë po sqaroj. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, si Komandat i Forcave të Armatosura, miraton Planin e Vendosjes dhe të Përhapjes së Forcave të Armatosura, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes. Ky plan i Vendosjes dhe i Përhapjes është një dokument shumë i rëndësishëm që Forcat e Armatosura të kryejnë misionin e tyre, në kohë krize, paqeje dhe lufte. Procesi i bërjes së këtij dokumenti është një proces shumë i detajuar. Së pari, quhet plani i Vendosjes dhe i Përhapjes, që do të thotë se Forcat tona të Armatosura duhet të kenë një vend dhe një shtrirje se ku do ta kryejnë funksionin e tyre të përditshëm. Ky proces i hartimit të këtij dokumenti, kalon në një proces analize, diskutimi, vlerësimi në të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, nga komandat ajrore, detare, tokësore, tek komandat mbështetëse dhe tek strukturat e tjera ndihmëse. Në proces vlerësimi merren parasysh prioritetet e FA, objektivat e kapaciteteve që ato kanë në raport më NATO-n. Merren gjithashtu, planet e zhvillimit afatgjatë të FA, të cilët janë dokumenta strategjikë që miratohen nga Parlamenti i Shqipërisë. Ky proces, pasi bëhet sërish rivlerësimi në Shtabin e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes, hartimi i një dokumenti plotësues, vjen për miratim sipas dispozitave kushtetuese tek Presidenti i Republikës. Presidenti vlerëson këtë dokument dhe e kthen ose e miraton, siç bën me çdo akt tjetër ligjor.
 
Elona Meço: Ju ka ardhur deri tani?

Presidenti Bajram Begaj: Jo, nuk kam asnjë Plan të tillë.

Elona Meço: Nëse do të ketë një Plan të tillë për të hequr këtë 100 ha, siç është diskutuar më herët në media, do ta firmosni?

Presidenti Bajram Begaj: Nuk e kam dëgjuar këtë nga media, por procesi është një proces ligjor, i cili bëhet nga struktura kompetente. Nuk është çështje e heqjes së 100 ha.

Elona Meço: Ju pyes për këtë, pasi është thënë shumë herë që ky Plan po bëhet për t’ia marrë ushtrisë këto prona, kryesisht në bregdet, dhe për t’ua dhënë investitorëve privatë.

Presidenti Bajram Begaj: Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes është një plan që bëhet me një studim, analizë, vlerësim, konkluzione nga njerëz profesionistë, që punojnë në strukturat e FA dhe në komandat kryesore. Këta njerëz nuk besoj janë të gjithë të korruptuar. këta njerëz janë ata që bëjnë punën e përditshme, që na nderojnë në misione ndërkombëtare dhe janë ata prej të cilëve ne kemi një vend nderi në NATO.
 
Elona Meço: Po, por mund të veprojnë edhe në presionin e urdhrave politikë.

Presidenti Bajram Begaj: Nuk ka mundësi. Nuk ka mundësi, sepse ushtarakët kanë një ligj tjetër përsa i përket organizimit të tyre.

Elona Meço: Çfarë synoni që të mbahet mend pas 5 vitesh nga presidenca juaj? I keni vendosur vetes një qëllim, pasi koha ikën shpejt?
 
Presidenti Bajram Begaj: Dëshiroj të mbahem mend si Presidenti i Republikës që i shërbeu atdheut me përgjegjshmëri, ndershmëri, integritet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme