Propozimi franko-gjerman/ Mbahet sot në Bruksel raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi

Rajon | 4 vite më parë

Mbahet sot (27 shkurt) në Bruksel, raundi i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me në fokus propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, së bashku me të dërguarin special i Bashkimit Evropian për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të veçanta me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, e Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Takimet veç e veç do të nisin në orën 15:00, më pas do të vijojë takimi i përbashkët.

Një ditë më parë, Kryeministri Kurti ka pranuar një letër nga nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin në Bruksel dhe propozimin Evropian, ku kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman është me rëndësi thelbësore për integrimin europian të vendit.

 “Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”, ka njoftuar zyra e Kryeministrit.

Sakaq, ministri serb i mbrotjes, Millosh Vuçeviç është shprehur se Presidenti serb do të jetë në presion të madh në Bruksel për të pranuar planin franko-gjerman, por sipas tij, presidenti do të dijë të marrë vendime racionale në interes të Serbisë.

“Nëse di diçka, e di se Aleksandar Vuçiq ka mjaft përvojë dhe guxim njerëzor, guxim dhe njohuri për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare. Një njeri që është takuar me Vladimir Putin 19 herë, me Angela Merkelin 17 herë, me Emmanuel Macron 12 herë, me Presidentin e Kinës tetë herë dhe pesë biseda me presidentin amerikan Joe Biden, ai meriton besimin e të gjithëve ne”, tha Vuçeviç, citon Tanjug.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi synon normalizimin e plotë të raporteve. Por, palët kanë dallime sa i përket përfundimit të dialogut. Kosova kërkon që në një marrëveshje finale të përfshihet njohja nga Serbia, ndërkaq, Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme