Protesta e 3 marsit, Berisha: Të përgatitemi për të gjitha mjetet e mosbindjes civile! 14 maji, shtylla e revolucionit

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka theksuar edhe njëherë vendosmërinë e opozitës për vijimin e aksionit kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Në takim me strukturat drejtuese të degëve në Tiranë, Berisha u ndal te protesta e 3 marsit, teksa tha se “nuk mund të ketë kurrë stabilitet pa votuar shqiptarët të lirë“.
“Kemi një moment të rëndësishëm që është protesta e 3 marsit. Nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe për Edi Ramën, stabilitet me Edi Ramën. Teza e revolucionit. Ata të cilët na sugjerojnë ne, apo shprehen se po lëkundet stabiliteti u themi haptas se nuk mund të ketë kurrë stabilitet pa votuar shqiptarët të lirë. Iku koha kur shqiptarëve u diktohej që të ulnin kokën, nuk e ulin më kokën ata, para askujt, ata do të ecin deri sa qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë“, tha Berisha.
Ai i bëri thirrje strukturave që të angazhohen për të patur pjesmarrje të lartë në protestë, teksa paralajmëroi se ata do të përgatiten për të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Kjo thirrje është përdorur jo pak herë nga Berisha, po megjithatë ai nuk shpjegoi më gjerë se çfarë nënkuptonte “mosbindja civile“. Zgjedhjet vendore të 14 majit, Berisha i cilësoi si “shtyllën e revolucionit“.
“Këto ditë që na kanë mbetur, çdo anëtar dhe anëtare ka një detyrë, të trokasë në derën e fqinjit të vet, te i njohuri i vet, të telefonojë cilindo që mundet, ta ftojë që data 3 mars të jetë një arritje tjetër e revolucionit tonë demokratik. Të përgatitemi për të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Mahatma Gahndi konsideron mosbindjen civile si momentin e shenjtë të revolucionit paqësore. Ndaj dhe ne do të përdorim çdo formë të saj, kundër regjimit monist të Edi Ramës. Elementë, shtyllë kryesore e revolucionit tonë janë zgjedhjet e 14 majit“, theksoi ish-kryeministri.
Ndonse pranoi se kjo betejë, siç e cilëson ai, nuk do të jetë e lehtë, ish-kryeministri theksoi se ata nuk do të lëkunden.
“Nuk e kemi shesh me lule këtë betejë, por e kemi betejë fisnike, për idealet tona, për të ardhmen tonë dhe ne jemi të pathyeshëm në këtë betejë“, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




