Protesta e paralajmëruar para Parlamentit, Berisha: Të enjten, betejë! Edi Rama e ka vendin në burg

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka paralajmëruar se do të zhvillojë të enjten protestën e radhës para Parlamentit. Në një mbledhje me Grupin Parlamentar, Berisha tha se e enjta do të jetë ditë beteje, teksa nuk la pa hedhur një sërë akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama për lidhjet e tij me ish-agjentin e FBI-së, McGonigal.
“Nesër është betejë, ditë beteje! McGonigal është në burg, Edi Rama e ka vendin në burg. Akti që ka kryer Edi Rama ndaj SHBA dhe ndaj Shqipërisë, krimi i rëndë që ka kryer kundër pluralizmit politik dhe kundër sigurisë së SHBA, meriton një ndëshkim ekzemplar. Faza e parë e dërgimit të tij në banesën e tradhtarëve, armiqve të pluralizmit dhe demokracisë, është largimi i tij nga pushteti. Ndaj dhe çdo ditë, çdo betejë ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, tha Berisha.
Kërkesën e PS për përjashtimin e disa deputetëve të PD nga Parlamenti, pas seancës së të hënës që që u shoqëruar me debate e tensione të forta, Berisha e interperton si veprim të ndërmarrë për të “përgjysmuar opozitën, pasi Rama ka frikë nga prania jonë”.
“Sot ata, për turpin e tyre, marrin përsipër të përjashtojnë një grup tjetër deputetësh nga parlamenti pasi Edi Rama pas një muaj do shkojë në sallën e parlamentit, por ka frikë dhe tmerr nga prania jonë, ndaj kërkon të na përgjysmojë. Kjo është e vërteta. Pasi u kthye nga Dubai, ku takoi ortakun e vëllait të vet, Amant Josifin, për të mos thënë edhe disa të tjerë, tani ka vendosur të hyjë në parlament. Ky përbën një akt të shëmtuar të tij dhe të pseudomazhorancës së tij”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




