Protesta e PD, Jorida Tabaku: Nuk mjafton mbledhja e njerëzve, por e mendjeve për ndryshim

Deputetja e partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar me një postim në rrjetin social Facebook pas protestës së mbajtur mbrëmjen e 7 korrikut nga demokratët kundër rritjes së çmimeve të shportës dhe karburantit. Deputetja Tabaku deklaroi se pjesëmarrje e njerëzve në protestë ishte e mirë duke marrë parasysh periudhën në të cilën u mbajt, por ka dhe disa rezerva. Tabaku thekson se pas protestave të panumërta të organizuara nga PD, sërish i mbeti e njëjta shije pamjaftueshmërie, pasi Kryeministri është po i njëjti.
Në përfundim Tabaku nënvizon se Shqipëria ka nevojë për një shpresë të re, dhe këtë gjë nuk mjafton mbledhja e qytetarëve në protesta por mbledhja e mendjeve për ndryshim.
Postimi i plotë:
Shenim per nje proteste!
Do shkosh në protestë s’do shkosh në protestë! Kjo ishte pyetja që mu bë parreshtur dje. A thua se kjo protestë bëhej për të ndarë se kush ishte me partinë dhe kush me armikun. “Në fakt për këtë bëhet!”, thoshin miqtë e mi. Po unë që s’kam munguar në asnjë protestë të demokratëve, madje as kur isha shtatzënë dhe na hidhej gaz pa kursim, nuk kisha dilemë! Në protestat e demokratëve duhet shkuar. Për të tjerat ka kohë pas protestës.
Tani që jemi tek të tjerat dua të ndaj me demokratët ndjesitë e mia nga protesta. Pjesëmarrja ishte e mirë, aq më shumë që nuk jemi në stinën më të përshtatshme për protesta të kësaj natyre, të cilat nuk shkojnë dot përtej një manifestimi partie. Nga numrat nuk mund të kërkoje më shumë, ndërsa nga çfarë u tha dhe u dëgjuar nuk mbeti më shumë se sa çfarë është thënë e dëgjuar qysh prej vitit 2013. Madje më pak do të thosha, por nuk po e them për të mos krijuar ndonjë ide të gabuar se po krahasoj protagonistë të ndryshëm.
Mbeti po ashtu e njëjta shije pamjaftueshmërie dhe përsëri sot, njësoj si pas të gjitha protestave të panumërta prej 9 vjetësh, kryeministri është po ai. Demokratët kanë nevojë për protesta, padyshim. Por që pas 3 vjetësh të tjera me po këtë kryeministër dhe pas të tjera protestave si kjo, Edi Rama të mos rrëmbejë mandatin e katërt, Shqipëria ka nevojë për një shpresë të re. Këtë nevojë protestat as nuk e plotësuan deri dje, as nuk do ta plotësojnë dot deri asnjëherë. Sepse për këtë nuk mjafton të mbledhësh njerëz për të protestuar. Duhet mbledhur mendja për të ndryshuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




