Protesta në Mianmar, shkon në 320 numri i viktimave

Botë | 6 vite më parë

Është rritur në 320 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj atyre që protestojnë kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së udhëheqëse Su Kyi.

Sipas raportit ditor të përgatitur nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) thuhet se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 34 protestues tjerë, duke rritur në 320 numrin e viktimave, 264 prej të cilëve janë qëlluar nga forcat e sigurisë.

Në raport thuhet se nuk dihen shkaqet për vdekjen e 56 personave dhe se shumica e personave që kanë humbur jetën janë të rinj të grup-moshës 18-24 vjeç.

Ndërkohë stacioni i ushtrisë në rajonin Kachin po kalon nën kontrollin e grupit etnik të armatosur.

Ushtria për Pavarësi e rajonit Kachin ka deklaruar se do të mbrojë protestuesit kundër administratës ushtarake, dhe ka marrë nën kontroll një stacion të ushtrisë në rajon.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që protestat në vend vazhdojnë me pjesëmarrje të gjerë. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme