PS fiton bashkitë Vorë, Elbasan dhe Kamzë, rikonfirmohen kryebashkiakët

Politikë | 3 vite më parë

Partia Socialiste ka siguruar 3 fitoret e para në zgjedhjet vendore të 14 majit duke fituar në Bashkitë Vorë, Kamëz dhe Elbasan, ku votimi dhe numërimi u bë në mënyrë elektronike. Në këto bashki PS garonte me kryetarët aktualë, të cilët kanë rikonfirmuar vijimin e detyrës së tyre në drejtimin e këtyre bashkive.

Rezultati ende nuk është zyrtar pasi kanë mbetur edhe pak qendra votimi pa u numëruar, por rezultati mes kandidatëve është i thellë.

Blerim Shera i Partisë Socialiste është shpallur fitues si kryetar i Bashkisë Vorë. Shera deri tani ka 74.28 % të votave. Shera ishte në garë me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Indrit Hoxha, ka 25.72 % të votave

Pjesëmarrja në votime në Bashkinë Vorë ishte 43 %, ku votuan 13 300 persona nga 30 822 votues që ka kjo bashki. Krahasuar me  zgjedhjet e pjesshme vendore të 2022 të zhvilluara në bashkinë Vorë, këto zgjedhje pjesëmarrja ishte 2 % më e lartë.

Në Bashkinë Elbasan fitues ka dalë Gledian LLatja deri tani me 55.03 %të votave, ndërsa kundërshtari i tij Luçiano Boçi i koalicionit “Bashkë-Fitojmë” ka 44.97 % të votave

Edhe në Kamëz është shpallur fitues Rakip Sulit i PS me 60.65 % të vota. Kandidati i “Bashke Fitojmë” Arjan Hoxha ka 35.11 % të votave dhe Bilbil Bajraktari i PD ka 4.24 % të votave

Zhvillimet minutë pas minute

Ora 21:05 PS fiton Vorën, Veliaj: Fituam bindshëm për të ecur përpara! Shera: Do ju shërbejë të gjithëve

Drejtuesi politik i PS për qarkun Tiranë, Erion Veliaj ka dalë nga selia rozë për fitoren në bashkinë Vorë. Veliaj uroi Blerim Sherën për fitoren, ndërsa tha se PS mori një fitore të bindshme në Vorë.

“Fitorja e dytë në rang vendi vjen nga Qarku i Tiranës. Fituam me 74 % Bashkinë e Vorës, për t’i shërbyer me dashuri e përkushtim 100% të qytetarëve të saj. Jam i ndërgjegjshëm që kemi fituar bindshëm një bashki historikisht të djathtë, ndaj e shohim me përulesi e mirënjohje të jashtëzakonshme një besim kaq të madh. Bravo Blerimit dhe skuadrës së tij, dhe punë të mbarë nga nesër për t’a çuar Vorën gjithnjë e më përpara.” tha Veliaj.

Drejtuesi politik i Qarkut Tiranë, Erion Veliaj, ka përshëndetur edhe Rakip Sulin për fitoren, i cili, ruajti drejtimin e bashkisë Kamzë edhe për 4 vitet e ardhshme.

“Fituam me 60% Bashkinë e Kamzës, për t’i shërbyer me dashuri e përkushtim 100% qytetarëve të saj. Bravo Rakipit dhe skuadrës së tij, dhe punë të mbarë nga nesër për t’a çuar Kamzën gjithnjë e më përpara”, tha Veliaj.

Në fjalët e para pas fitores Blerim Shera falënderoi bashkëqytetarët e Vorës, Bërxullës dhe Prezës.

“Zotohem që do u shërbej të gjithëve me përulësi siç e kam bërë. Mezi pres ta nis punën që nesër e tu shërbej pa dallim politike”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme