PS kryeson në Lezhë, kandidati Paci: Po na ecën mbarë “matematika”, marrim edhe mandatin e katërt

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Partia Socialiste ka rimarrë epërsinë ndaj rivalëve demokratë (43.85%) në Lezhë, duke siguruar 44,25% të votave të numëruara, kur janë përpunuar gati një e treta e qendrave të votimit.

Ermal Paci, kandidati i PS-së në Lezhë, deklaroi për RTSH se klima e zgjedhjeve të këtij viti ka qenë e mirë dhe puna e tyre me komunitetin ka pasur rezultat.

Ndërsa shumica e njësive mbeten për t’u numëruar, z. Paci tha se numërimi është ngadalësuar për arsye procedurale, jo prej numëruesve.

“Në KZAZ 12 dhe KZAZ 13 kemi mbaruar thuajse 6 njësi. Kemi edhe 5 njësi të tjera, si qytetin e Lezhës, më i madhi, që ende nuk ka filluar. Sipas diskutimeve që sapo bëmë dhe me njoftimin e KZAZ-së, presim që numërimi të rifillojë në orën 13:00. Numërimi ka ecur pak avash, jo për fajin e numëruesve, por se fleta ka qenë pak si çarçaf. Edhe procedurat e zarfeve kanë marrë kohë më shumë se herët e tjera,” u shpreh z. Paci.

Kandidati socialist tha se me rezultatin e deritanishëm, PS-ja mund të marrë edhe mandatin e katërt në qark.

“Procesi i numërimit ka shkuar jashtëzakonisht shumë mirë, pa problem, një klimë e mirë paszgjedhore. Ne kemi edhe pjesën tjetër, që po na ecën mbarë matematika dhe do të marrim edhe mandatin e katërt të Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës,” tha z. Paci.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme