PS propozoi Bajram Begajn si President, Alibeaj: I paracaktuar nga mafia e pronave shtetërore

Politikë | 4 vite më parë

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar përmes Enkelej Alibeajt mbi propozimin e Bajram Begajt nga PS si kandidat për President. Sipas Alibeajt emri i Begajt ishte i paracaktuar nga “mafia e pronave shtetërore”.

Ai akuzon se Partia Socialiste zhvilloi një proces me përbetime farsë për president konsensual, teksa thekson edhe njëherë se ata nuk do të marrin pjesë në votimin në Kuvend të shtunën.

“Asnjë surprizë nga procesi personal i Edi Ramë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ai nxori sot nga xhepi zarfin me emrin e kandidatit të paracaktuar nga mafia e pronave shtetërore.  Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kishte paralajmëruar se Edi Rama i ka farsë përbetimet për President konsensual dhe gjithëpërfshirës. Moslegjitimi i kësaj farse të paralajmëruar nga ana jonë, qoftë edhe me votë kundër, është detyrë e çdo deputeti të Opozitës. Pjesëmarrja në votim nënkupton që ti japësh fytyrën e normalitetit demokratik regjimit të Edi Ramës, ndërkohë që ai po ndërmerr një akt tjetër personal për të asgjësuar një tjetër institucion kushtetues të pavarur. PD nuk mund të jetë në seancë si fasadë për të legjitimuar kapjen e institucionit të Presidentit, as dëshmitare e atij procesi, sa kohë rezultati i votimit dihet. PD nuk mund të votojë një President që del nga xhepi i Edi Ramës, jashtë një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent”, thotë Alibeaj.

Nga ana tjetër, Sali Berisha, ndryshe nga Aliebaj, nuk ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim por se do të votojë kundër çdo kandidati të Ramës për President.

Kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e kësaj të premte se socialistët, pas mbledhjes së Kryesisë, kishin rënë dakord të propozonin emrin e Bajram Begajt, aktualisht Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si kandidatin për President që do të votohet nga Kuvendi të shtunën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme