Publikohet video e vrasjes së Ardian Nikulaj, autori i veshur si polic, e përshëndet dhe më pas e qëllon për vdekje

Aktualitet | 4 vite më parë

Rtsh.al ka siguruar videon e momentit të ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur mesditën e së mërkurës (19 prill) në Shëngjin.

E gjithë skena u filmua nga kamerat e sigurisë në lokalin “Coral” në pedonalen e Shëngjinit, i cili ishte në pronësi të 50 vjeçarit. Autorit i janë dashur 12 sekonda për të kryer ekzekutimin.

Ora 13:23:05 –  Ardian Nikulaj është i ulur në tavolinë dhe po komunikon me dikë në telefon, në momentin kur autori i veshur si polic rrugor, me skafandër në kokë dhe jelekun fosforeshent hap derën dhe futet në lokal.

Përshëndet me dorë Nikulajn, i cili nuk duket i shqetësuar, por ndjek me sy lëvizjet e autorit.

Ora 13:23:16 Autori bën disa hapa dhe drejtohet për nga tavolina e biznesmenit. Me shpejtësi nxjerr pistoletën dhe qëllon disa herë. Për t’u siguruar, autori afrohet dhe qëllon disa herë në kokë viktimën në një distancë tepër të afërt. Gjithsej numërohen 7 të shtëna.

Ora 13: 23:17 Pasi e qëllon viktimën disa herë në kokë, autori kthehet drejton pistoletën nga banaku duke menduar se mos ishte personi që ishte kur hyri në lokal, por ky i fundit në momentin që dëgjoi të shtënën e parë vrapon të largohet duke u fshehur.

Tek dera ka mbetur vjehrri i viktimës i cili duket se është shtangur. Pasi kryen vrasjen autori hap derën dhe largohet. pa prekur të moshuarin. 

Policia ende nuk ka mundur të identifikojë autorin e vrasjes i cili mendohet se është larguar me motor drejt Shkodrës. Nga skena e ekzekutimit autori dyshohet të jetë vrasës me pagesë.

Ardian Nikulaj vinte në këto zgjedhje të pjesshme të 14 Majit si kandidat i Partisë Social Demokrate për Këshillin Bashkiak Lezhë, ndërsa pistat e hetimit deri tani janë ajo e hakmarrjes, e konflikteve të biznesit por nuk përjashtohet as e kaluara e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme