Putin hedh poshtë spekulimet për sulm me raketa: Avioni i Prigozhinit u hodh në erë nga granatat brenda

Botë | 3 vite më parë

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se nuk ishte një sulm i jashtëm ai që rrëzoi avionin që transportonte komandantin e luftës Uagner, Evgeni Prigozhin (Yevgeny Prigozhin), por granata dore brenda avionit, duke hedhur poshtë kategorikisht spekulimet për një sulm me raketa.

Duke folur në Klubin e Diskutimit Valdai në resortin e Soçit, Putin zbuloi informimin që sipas tij mori pak ditë më parë nga kreu i Komitetit Hetues të Federatës Ruse. “Në trupat e viktimave të rrëzimit të avionit janë gjetur fragmente granate. Nuk ka pasur asnjë goditje të jashtme, kjo është e dokumentuar”, tha ai.

Prigozhin, i cili udhëhoqi një kryengritje të dështuar kundër Kremlinit, ishte në mesin e 10 personave në bordin e avionit privat që u rrëzua në një fushë në veriperëndim të Moskës në gusht ndërsa po udhëtonte për në Shën Petersburg. Të gjithë në bord, përfshirë Prigozhin dhe ndihmësit e tij kryesorë, humbën jetën.

Udhëheqësi rus, qeveria e të cilit ka mohuar përfshirjen në aksident, nuk detajoi se si mund të kishin shpërthyer granatat në aeroplan, por tha se sipas tij, hetuesit duhet të kishin kryer teste droge ose alkooli në trupat e viktimave./CNN

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme