Putin paralajmëron Evropën dhe NATO-n: Do t’u përgjigjemi përgatitjeve tuaja për luftë

Presidenti rus Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia do t’u përgjigjet veprimeve të vendeve evropiane të cilat, sipas tij, po përgatiten për luftë me Rusinë, ndërsa ka akuzuar autoritetet ukrainase se po refuzojnë rinisjen e negociatave.
“Disa udhëheqës evropianë po deklarojnë hapur se po përgatiten për luftë me Rusinë”, citojnë mediat ruse fjalët e Putinit gjatë një takimi të Komisionit Ushtarak-Industrial.
Sipas tij, vendet evropiane po zhvillojnë stërvitje ushtarake, përfshirë manovra që simulojnë kapjen e anijeve civile.
“Vërtet dua t’u them atyre: le të jetojmë në paqe më mirë; përndryshe, do të duhet të përgjigjemi edhe ne. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”, u shpreh ai.
Putin theksoi se një nga kërcënimet kryesore për Rusinë mbetet zgjerimi i NATO-s.
“Siç e dimë, kërcënimet nuk po zvogëlohen. NATO po rritet dhe po zgjerohet në rajonet e tjera të botës” tha ai.
Megjithatë, kreu i Kremlinit pretendoi se Rusia nuk ka synime agresive ndaj vendeve evropiane dhe nuk ka asnjë arsye për t’i sulmuar ato.
Sa i përket Ukrainës, Putin u shpreh se përfaqësues të udhëheqjes së lartë në Kiev po propozojnë rinisjen e procesit të negociatave, por sipas tij, “po bëjnë gjithçka që mundën për të siguruar që të mos ketë as paqe dhe as negociata.
Udhëheqësi rus u ndal edhe te programi i ri shtetëror i armatimit, duke deklaruar se prioritetet e tij kryesore janë përcaktuar duke marrë parasysh zhvillimet globale, përvojën e luftës kundër Ukrainës dhe trendet teknologjike ushtarake.
“Nënshtresa e prioriteteve absolute, si më parë, është forcimi i triadës bërthamore, e cila mbetet një garanci e sovranitetit të vendit tonë dhe luan një rol kyç në ruajtjen e ekuilibrit global të fuqisë”, deklaroi Putin, duke shtuar se gati asnjë fuqi bërthamore në botë nuk mund të mburret me nivelin e forcave strategjike raketore të Rusisë, ku 92% e arsenalit është modernizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




