Qarqet ku vota e diasporës mund të ndryshojë numrin e mandateve për PS dhe PD

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

PS arriti të sigurojnë një fitore të madhe në zgjedhjet e 11 majit 2025, duke thelluar diferencën me partinë më të madhe të opozitës, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Përkthyer në shifra zyrtare, PS mori mbështetjen e mbi 750 mijë votuesve brenda dhe jashtë vendit, PD mbi 500 mijë. Por ndërkohë mbeten ende pa u numëruar gati 100 mijë vota nga diaspora, të cilat mund të ndryshojnë ende raportet e forcave në Kuvend.

Socialistët, deri tani kanë marrë 83 vendet e Kuvendit të ri. Ata janë në pritje të së paku edhe të një mandati nga diaspora, që do t’i jepte Ramës një shumicën cilësuese prej 84 mandatesh, duke mos mbetur i varur nga vota e aleatëve apo kundërshtarëve politik.

Fieri mbetet ende në pikëpyetje, pasi vota e diasporës mund të sjellë të tjera problem për PD-në, e cila mund të humbasin një tjetër mandat, duke arritur të fusë në Kuvend vetëm tre deputetë.

Diferenca prej rreth 60 mijë votash mes PS dhe PD, humbja e shumë votave në Lushnjë, si dhe fakti që votat e Greqisë më së shumti i përkasin Qarkut të Fierit, rrezikojnë sërish që PD të lerë një ulëse në Kuvend.

Precedenti për këtë është pasi falë diasporës, socialistët morën edhe një mandat më shumë në Vlorë, duke çuar rezultatin në 9 me 3.

Sa i përket Tiranës, socialistët morën shumicën e mandateve, madje një mandat më shumë se katër vjet më parë.

Socialistët thelluan diferencën në vota duke arritur të marrin edhe mandatin e 19-të, por ata presin edhe numërimin e votave nga diaspora, në pritje të mandatit të 20-të.

Do të ishte ky mandati që do e çonte PS-në në 84 mandate.

Nga ana tjetër edhe diferenca po ngushtohet edhe në Lezhë mes PS-së dhe PD-AMSH, ku aktualisht është rreth 1250 vota përpara opozita, por mbeten edhe 5000 vota për t’u numëruar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme