Rama: Durrësi do jetë destinacioni i talenteve në futboll për rajonin, do kemi grupin tonë “Durrës City”

Përmes hapjes së akademisë së “Manchester City” në Durrës, ky qytet do të kthehet në një destinacion për të gjithë talentet e reja jo vetëm në shkallë vendi por edhe për rajonin. Kryeministri Edi Rama tha se kjo akademi do të shërbejë për të gjithë Ballkanin, por edhe nëse grupi “Manchester City” vendos të hapë një të dytë në Ballkan, atëherë, kryeministri Rama tha se “Bashkia Durrës do të jetë partnere”.
“Durrësi është në një moment fantastik kthese të madhe dhe ka përpara një të ardhme shumë kuptimplotë dhe perspektivë të qartë për qytetin dhe komunitetin. Në fushën e sportit duam të bëjmë shumë më tepër, ky është një nga projektet.
Projekti tjetër është për ta kthyer Durrësin në një destinacion të talenteve jo vetëm në shkallë kombëtare dhe rajonale. Kemi marrë ekskluzivitetin që të jemi një qendër për të gjithë rajonin edhe më gjerë përmes akademisë Manchester City në Durrës. Do jetë një destinacion për talente nga i gjithë rajoni, nëse do behet një akademi e dytë në Ballkan, Bashkia e Durrësit do të jetë partnere”, tha Rama.
Në një tjetër synim i qeverisë, tha Rama, është që të ngrohet edhe grupi “Durrës City” njësoj si qytet e tjera që janë pjesë e grupit “Manchester City”.
“Ne duhet të ngremë grupin tonë këtu “Durrës City” që do jetë një bërthamë që do zhvillohet në të ardhmen si një skuadër më vete. Akademia i shërben të gjitha klubeve në Shqipëri, nuk është vetëm ekskluzive për talente dhe lojtarë të rinjtë që duke u futur aty i përkasin “Manchester City”, por akademia është në shërbim të të gjitha klubeve”, tha Rama.
Lidhur me fazën finale për zgjedhjen e fituesit mes 3 studio prestigjioze të arkitekturës 51N4E (Belgjik) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV(Holandë), Rama tha se ambicia është krijimi i stadiumeve që janë jo vetëm të dedikuara për futbollin, por një qendër shumëdimensionale që do shërbejë si motorë social dhe ekonomik për komunitetin.
“Sot kurorëzojmë një proces të nisur prej kohësh si një dëshirë, pastaj të shpallur si një pjesë e programit dhe pastaj të vazhdojë si një proces konkursi ndërkombëtarë ku morën pjesë shumë studio në fazën e parë dhe tani për finale mes tre studiosh prestigjioze për stadiumin e ri të Durrësit, që nuk është thjeshtë një stadium, por një qendër e re e qytetit ku synimi është të kemi kushte optimale për kompeticion kryesor futbollin, por edhe kushte optimale për të pasur një qendër plot jetë 24 orë në 7 ditë të javës. Uroj që të kemi sot një tjetër fitues spektakolar si ai që sapo kemi zgjedhur në Korçë”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




