Rama: Gara ndërkombëtare për projektide arkitekturore për EXPO ALBANIA, e hapur deri më 12 shkurt

Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, po synon ngritjen e “EXPO ALBANIA”. Ajo parashikohet të jetë një qendër shumëfunksionale për ekspozita, panaire, takime, koncerte, evenimente, rekreacion dhe logjistikë.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur të mërkurën përmes një postimi në rrjetet sociale se vijon të jetë e hapur deri më 12 shkurt thirrja e fazës së parë të garës ndërkombëtare për projektide arkitekturore për EXPO ALBANIA. Sipas tij çdo profesionist mund t’i përgjigjet kësaj thirrjeje duke dorëzuar propozimet përkatëse.
“EXPO ALBANIA, është menduar si një qendër ekspozimi shumëfunksionale që pritet të rrisë ndjeshëm vizibilitetin e Tiranës, dhe gjithë Shqipërisë, si një destinacion për organizimin e panaireve, ekspozitave tregtare, takimeve në shkallë të gjerë dhe evenimenteve të tjera, duke e konsoliduar më tej reputacionin e kryeqytetit si një nyje e rëndësishme në rajon dhe në nivel ndërkombëtar”, u shpreh Rama.
Ky konkurs ka për synim mbledhjen e propozimeve për realizimin e këtij vizioni përmes ideve novatore dhe largpamëse të projektimit që arrijnë të harmonizojnë një amalgamë kërkesash programatike, duke ruajtur ndërkohë një fleksibilitet të mjaftueshëm për të mundësuar edhe përdorime alternative.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




