Shqipëria hap një tjetër grupkapitull të negociatave me BE-në. Rama: Synojmë hapjen e plotë të tyre brenda vitit  

Politikë | 1 vit më parë

Shqipëria ka hapur një tjetër grupkapitull në tryezën e negociatave për anëtarësimin në BE. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili tha se aktualisht janë hapur 24 nga 35 grupkapituj gjithsej.

Rama shprehu besimin se nëse merr një “mbështetje të fuqishme popullore në zgjedhjet e 11 majit”, Shqipëria mund të hapë të gjithë kapitujt e mbetur brenda vitit, duke vendosur një rekord evropian në procesin e integrimit.

“Dje kur po shkoja në Fier, mora lajmin se grupkapitulli tjetër i negociatave u aprovua për t’u hapur. Pra kemi hapur 16, hapim edhe 8 të tjerë tani, që bëjnë 24. Mbeten edhe 11 për t’u hapur dhe kam besim dhe shpresoj e uroj që me fuqinë e re të 11 majit të hapim edhe 11 të tjera brenda këtij viti. Do të ishte rekord evropian se asnjë vend s’i ka hapur të gjithë kapitujt në një vit dhe asnjë tjetër me afat në tre vjet. Fati evropian është në duart tona”, u shpreh Rama. 

Gjatë rubrikës “Sy m’Sy”, Rama theksoi se fitorja në zgjedhje nuk ka të bëjë vetëm me pushtetin politik, por me fatin evropian të Shqipërisë.

“Çështja e fitimit nuk është vetëm për karrigen time, pro çështja është për të fituar Shqipërinë dhe Shqipëria fiton vetëm me mua dhe PS. Që do fitojmë nuk ka diskutim, por sa do fitojmë? Çfarë fuqie do të na jap populli shqiptar? A do jetë në mbështetje popullore më e madhe se kjo që kemi sot? Nëse ne fitojmë aq sa kemi sot ne kemi fituar zgjedhjet por nuk kemi marrë një fuqi më të madhe. Çdo gjë mbi këtë është fuqi e shtuar e Shqipërisë pasi ne jemi duke kërkuar mbështetje për Shqipërinë 2030 në BE”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme