Rama: Kurti ka hedhur hapa të rëndësishëm në normalizimimin e marrëdhënieve me Serbinë

Ka përfunduar mbledhja e dy kryeministrave, atij të Kosovës, Albin Kurti dhe Edi Rama. Pas takimit, ku dhe kanë drekuar, Rama bën të ditur se marrëveshja e Ohrit, ecuria e mëtejshme e procesit të zbatimit të saj ishin pjesë e diskutimeve.
Në një postim në Facebook, teksa e konsideron mik të posaçëm, Rama vlerëson se Kurti ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj. I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, shkruan Rama.
Ndër të tjera, ai inkurajon Kurtin në hedhjen e hapave të mëtejshëm për Asociacionin, si edhe për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe, ndërsa ka shprehur mbështetjen nga ana e tij.
“E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, shkruan Rama ndërsa bën të ditur mbledhja e ardhshme e të dy qeverive do të mbahet në qershor.
Më herët, kryeministri i Kosovës zhvilloi takime me presidentin, Bajram Begaj, kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, ku këta të fundit shprehën mbështetjen për bisedimet me Serbinë.
Kjo vizitë e kryeministrit të Kosovës vjen disa ditë pas marrëveshjes arritur në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




