Rama mbledh kryebashkiakët në Kuç të Vlorës, në fokus harta e re territoriale

Politikë | 2 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në Kuç të Vlorës kryetarët e bashkive të vendit, në takimin e parë pas prezantimit të propozimit të PS për hartën e re territoriale.

Në takim marrin pjesë edhe ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, si dhe Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale.

Komisioni i Posaçëm nuk arriti të prodhojë një draft me konsensus politik, ndërsa mazhoranca ka paraqitur tashmë propozimin e saj për ndryshimin e hartës administrative të vendit. Sipas propozimit të socialistëve, 15 bashki do të shkrihen, duke e çuar numrin total të bashkive nga 61 në 46.

Në anën tjetër, Partia Demokratike propozon 100 bashki, duke kundërshtuar modelin e propozuar nga mazhoranca.

Harta e re ka hasur kundërshtime në disa bashki që preken nga ndryshimet e propozuara. Kryebashkiakë dhe përfaqësues vendorë kanë shprehur rezerva lidhur me shkrirjen e njësive vendore dhe pasojat që kjo mund të ketë për administrimin e territorit dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Përballë kundërshtimeve, kryeministri Rama ka bërë thirrje për një proces të gjerë konsultimi publik, duke ftuar në diskutim qytetarët dhe kryetarët e bashkive.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme