Rama: Në prill, kësti i parë i taksës së jashtëzakonshme mbi prodhuesit e mëdhenj të energjisë

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale të tjera momente nga mbledhja maratonë me ministrat e kabinetit qeveritar. Rama bën të ditur se në muajin prill do të mblidhet kësti i parë i taksës së jashtëzakonshme mbi prodhuesit e mëdhenj të energjisë. Për Ramën, kjo taksë do të shërbejë për të mbështetur në radhë të parë pensionistët, e sipas mundësisë dhe radhës kategoritë më në nevojë.
“Në prill mblidhet kësti i parë i Taksës së Jashtëzakonshme mbi prodhuesit e mëdhenj të energjisë që eksportojnë me fitime të ngritura nga lufta dhe siç jemi zotuar, kjo taksë do të shërbejë për të mbështetur në radhë të parë pensionistët, e sipas mundësisë dhe radhës kategori të tjera më në nevojë”, shkruan kreu i qeverisë.
Prej ditës së djeshme, Kryeministri po zhvillon një diskutim maratonë me ministrat e kabinetit qeveritar, ku po analizohen arritjet gjatë vitit të shkuar si dhe po diskutohet mbi projektet konkrete për vitin 2023. Tri janë shtyllat kryesore të raportimit: ekonomia, shërbimet dhe rendi e diplomacia. Pas ministrave, në tryezën e llogaridhënies do të ulen të deleguarit e partisë në qarqe, raportimi të cilëve është spostuar për pasditen e së premtes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




