Rama për median greke: Çështja e detit do zgjidhet në Hagë. Integrimi në BE, proces i komplikuar

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Kathimerini ka deklaruar se çështja e detit do të zgjidhet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, teksa shton se marrëdhëniet me Greqinë janë fantastike.
“Kemi rënë dakord të mos biem dakord dhe çështja do të zgjidhet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ne kemi një marrëdhënie fantastike me Greqinë dhe personalisht me Kyriakos Mitsotakis, i cili di të flasë dhe di të dëgjojë. Ne kemi qenë gjithmonë afër. Na ndau përkohësisht komunizmi dhe pas rënies së tij pati një valë emigracioni nga vendi ynë në vendin tuaj që shkaktoi shqetësime, por me kalimin e kohës kjo u bë e dobishme reciproke, si për vendin tuaj ashtu edhe për timin”, tha Rama.
Për sa i përket perspektivës së Shqipërisë në BE, Rama thotë se është një proces i vështirë.
“Procesi i anëtarësimit është shumë më i komplikuar dhe më kërkues se sa ishte për vendet e tjera në të kaluarën. Le të themi se është çështje subjektiviteti politik, dallim kriteresh. Gjithçka është shumë më e rreptë tani dhe disa vende nuk do të ishin anëtarësuar nëse do të aplikonin sot”, tha ai.
Duke u ndalur te zhvillimi rajonal, kreu i qeverisë është shprehur mjaft optimist. Ai theksoi se bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, do lehtësonte rrugën për integrimin europian.
“Njerëzit thonë se ne prodhojmë më shumë histori në Ballkan se sa jemi në gjendje të konsumojmë. Unë jam optimist për Ballkanin, megjithatë, veçanërisht nëse gjejmë një mënyrë për të punuar së bashku dhe aq më tepër për të hyrë nën ombrellën e BE-së. Ne kemi problemet tona, sigurisht, mosmarrëveshjet dhe truket tona, por të tillë jemi ne – përndryshe, do të ishim Beneluksi.
Ndonjëherë mendoj se thjesht po luajmë. Gjyshja ime kishte një fjalë të mirë: Sa më i lumtur fqinji juaj, aq më i lumtur është shtëpia juaj. Sigurisht, ne do të luftojmë dhe do të grindemi, por kur godet fatkeqësia, është fqinji juaj ai që do të vijë për të ndihmuar i pari. Simpatia është gjithmonë e para dhe njerëzit e dinë këtë”, tha Rama.
Teksa ka bërë një përshkrim të jetës së tij nga zhvendosja në Paris te zgjedhja në krye të bashkisë së Tiranës, Rama u shpreh se tregues i rëndësishëm për të përcaktuar pozicionet, janë rrethanat. Lidhur me këtë të fundit, ai tha se nuk do të ishte bërë kryetar bashkie nëse do të kishte lindur në Suedi, pasi sipas tij, Tirana nuk është as Stokholm dhe as Cyrih.
“Ato ishin kohë shumë të ndryshme; dhe përsëri, ishin rrethanat që përcaktuan ato pozicione. Në atë kohë, kryeqyteti shqiptar ishte krejtësisht kaotik dhe i çorganizuar dhe banorët kishin shumë për të luftuar. Si kryetar bashkie, por edhe si artist, e dija se një mandat për të rilyer fasadat e ndërtesave me ngjyra të theksuara e të ndezura do ta transformonte kryeqytetin, do të ndryshonte melodinë e tij. Dhe u bë; funksionoi.
A do të isha bërë kryetar bashkie nëse do të kisha lindur në Suedi? Jo Tirana nuk është Stokholm apo Cyrih. Nuk ka shumë për të ndryshuar në Cyrih. Kryebashkiakët ngjajnë shumë me artistët: nëse bën një punë të mirë, rezultati është menjëherë i dukshëm, njerëzit e shohin atë. Një kryeministër është më shumë si një maestro që drejton një simfoni. Të jesh kryetar bashkie është shumë mirë”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




