Rama-Serbisë: Marrëdhëniet bilaterale hapa pas nëse nuk lirohen 3 policët e Kosovës! Albin, dil nga guacka e vetëizolimit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbi mbajtjen në paraburgim në Serbi të 3 policëve të Kosovës. Me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, kreu i qeverisë shqiptare teksa ka përsëritur thirrjen për kthimin e menjëhershëm të 3 efektivëve në shtëpi, thekson se nëse vijojnë të mbahen në paraburgim, marrëdhëniet bilaterale Shqipëri-Serbi do të bëjnë hapa pas.
Më tej, Rama paralajmëron se kjo do të jetë java e rikthimit të akullit mes dy vendeve, nëse 3 efektivët e Kosovës nuk lirohen nga Serbia.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”, shkruan Rama.
Kryeministri dha dhe një mesazh për homologun e Kosovës, duke thënë se nëse nuk ndodh de-eskalimi i situatës, Prishtina do të jetë e humbura e madhe. Rama i ka bërë thirrje Albin Kurtit që të dalë nga guacka e vetëizomimit dhe të mos humbasë Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë.
“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!
E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon”, shkroi Rama.
Policia e Kosovës njoftoi më 14 qershor se tre efektivë të saj në pikën kufitare Tresave/Bare u rrëmbyen nga forcat serbe. Por ndërsa Kosova konsideron se rrëmbimi i efektivëve është kryer 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës, Serbia thekson se tre Policët janë arrestuar 1.8 kilometra larg vijës administrative në rrugën Orahovë-Gnjilicë.
Gjykata në Serbi më 16 qershor rrëzoi akuzat për terrorizëm ndaj 3 policëve të Kosovës, ndërsa janë lënë në fuqi vetëm akuzat për mbajtje të paligjshme të armëve. Gjykata serbe caktoi 30 ditë paraburgim për 3 efektivët kufitarë të Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




