Rama: Sipërmarrje e re shtetërore, krijojmë 5 tregjet e para në mbështetje të fermerëve

Kryeministri Edi Rama në një takim që ka zhvilluar me fermerët në Elbasan ka bërë me dije se qeveria po ndërton një sipërmarrje ku rolin kryesor do e kenë bashkitë. Duke shpalosur masat që qeveria ka marrë për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, Rama sqaroi se aktualisht po punohet për programin e ri në bazë të të cilit është krijimi i 5 tregjeve të para shtetërore që do të menaxhohen nga bashkitë, dhe do jenë në dispozicion të fermerëve.
“Bujqësia sot, pavarësisht krizës së madhe evropiane e botërore, rritjes së çmimeve, kostove, është në ditën e vet më të mirë duke marrë parasysh nga jemi nisur për prodhimin dhe eksportin.
Ka filluar një fazë e re, ku me gjithë sistemin e pikave të grumbullimit që ne kemi ndërtuar, i është dhënë një dorë e madhe fermerëve. Kemi nevojë për tregje cilësore dhe me çmime të arsyeshme. Po punojmë me programin e ri në bazë të të cilit janë 5 tregje të parat që do ndërtohen dhe nuk varen nga privatë, por janë në dispozicion të fermerëve. Bashkia ka një rol themelor që e luan sot, në 5-10%. Duhet ta rrisë shumë shpejtësinë dhe vëmendjen, këmbënguljen për tu bërë partneri kryesor juaji. Keni nevojë për pikë grumbullimi? Nuk do presim sipërmarrësin ta bëjë. Do ndërtojmë një sipërmarrje ku bashkia do jetë pjesë, kush të dojë të futet dhe bashkërisht do aplikojmë për fonde evropianë dhe kostoja për ju që do jeni pjesë do jetë minimale dhe fitimi do jetë i madh. Barrën kryesore do e mbajnë fondet e mbështetjes, bashkia, qeveria”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




