Rama: Zgjedhja me 15 vota e Blerina Balajt në krye të Bashkisë Himarë, hap pozitiv

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një hap pozitiv zgjedhjen me 15 vota pro nga Këshilli Bashkiak, të kryetares së komanduar të Bashkisë së Himarës Blerina Balajt.

Rama deklaroi se përpjekja e një grushti njerëzish për të penguar zgjedhjen e kryetarit të komanduar të Bashkisë, tregon faktin se shumica e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit.

“Zgjedhja e sotme  nga Këshilli Bashkiak të Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv  për vazhdimin e punës së qeverisë vendore.

Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat dhe nevojat legjitime të popullit të Himarës”, shkruan Rama në rrjetin social.

Blerina Bala u zgjodh me 15 vota pro, kryetare e komanduar e Bashkisë së Himarës. Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak u shoqërua me tensione nga mbështetës të Fredi Belerit, duke çuar kështu në një mbledhje të dytë me dyer të mbyllura. 

Mbledhja u zhvillua pas dorëheqjes së Jorgo Goros, një ditë pas arrestimit me urdhër të SPAK, dhe arrestimit të Fredi Belerit më 12 maj, duke lënë kështu Bashkinë pa kryetar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme