Raportimi i medias në pandemi, gazetaria shkencore e rëndësishme në kohë krizash

Raportimi në kohë pandemie sfidoi të gjithë gazetarët dhe kjo ishte një nga ato përvoja ku një gabim i vogël është përkthyer edhe në jetë të humbura. Një nga të pakët gazetarë shkencor në fushën e shëndetit, korrespondent kontribues për revistën “Science”, Kai Kupfershmidt solli për një grup të zgjedhur gazetarësh nga vendet e Europës Juglindiore disa nga mësimet e nxjerra nga raportimi dhe komunikimi gjatë pandemisë
“Mendoj se ata që pretendojnë se nuk kanë bërë asnjë gabim gjatë pandemisë, ndoshta nuk kanë bërë asgjë. Në një situatë si ajo e pandemisë COVID-19, ku pasiguria ishte e madhe dhe informacioni ndryshonte aq shpejt, gjithmonë ka vend për gabime. Një nga gabimet më të mëdha që është e zakonshme në kohë krizash është se nuk e theksuam mjaftueshëm pasigurinë në disa situata. Pandemia është një gjendje kur në fillim ti nuk ke informacion mjaftueshëm dhe përthithja e tij bëhet ngadalë në një kohë kur publiku është i uritur për informacion. Një gazetar profesionist që bazohet në shkencë duhet të ndalojë dhe të thotë: ne nuk i kemi ende përgjigjet e duhura dhe do të donim shumë t’i kishim. Por rreziku këtu qëndron në faktin se dikush tjetër mund të përfitojë për të mbushur këtë boshllëk me informacione të pasakta dhe dashakeqe, sikurse edhe ka ndodhur. Në disa rrethana këto keqinformime nuk i kapërcyem mjaftueshëm herët ndërsa në disa rrethana të tjera u përfshimë në to dhe ndihmuan në një farë mënyrë të përhapeshin. Kjo është një çështje që ka prekur të gjitha vendet. Ajo që bëmë gabim në ditët e para ishte se transmetuam më shumë shkolla e kopshte të mbyllura, ndërsa nuk shkuam dot herët nëpër spitale e qendra shëndetësore për të raportuar gjendjen e pacientëve”, tha Kupfershmidt.
Ai sqaron se gazetaria shkencore është e nevojshme në çdo vend dhe rajon sepse për çdo popullatë është specifike si shtrimi i pyetjeve dhe adresimi i problemeve.
Jo çdo informacion shkencor që është shumë i rëndësishëm për SHBA për shembull, është edhe për Shqipërinë. Sipas Kupfershmidt, ne kemi nevojë për gazetarë shkencorë që jo vetëm të përkthejnë informacionin shkencor por të dinë të bëjnë pyetjen e duhur shkencëtareve në shëndetin publik.
Zgjerimi i aftësive të komunikimit u ofrua për 45 gazetarë dhe specialistë të shëndetit publik nga 11 vende të Evropës Juglindore në një seminar rajonal, të organizuar nga Qendra e Ballkanit për Emergjencat Shëndetësore të OBSH-së dhe Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën në partneritet me Qendra e Evropës Juglindore për Mbikëqyrje dhe Kontrolli i Sëmundjeve Infektive.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



