Reforma e pagave/ Ibrahimaj: Gur kilometrik, efekti financiar shkon 39 miliard lekë. Gjylameti: Opozita mbështetëse e pr.ligjit

Politikë | 3 vite më parë

Kuvendi e ka nisur diskutim në seancën e sotme plenare me projektligjin për rritjen e pagave, pas diskutimeve në komisionet parlamentare. Në fjalën e saj, Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se reforma e pagave, është një gur kilometrik i kësaj reforme, dhe i vendos kapakun rritjes së pagave.

Teksa ka ftuar të gjithë deputetët që me forcën e kartonit të tyre të votojnë këtë projektligj, të rëndësishëm sipas saj, në reformën e pagave, Ibrahimaj paraqiti dhe disa shifra të cilat reflektojnë rritjen e pagave dhe numrin e punonjësve që përfitojnë nga kjo reformë.

“Sot vendosim një gur kilometrik në reformën e pagave, që është rezultat i të gjitha punëve te reformave për shtëpinë tonë të përbashkët. Ju ftoj ta miratoni këtë pr/ligj dhe paketën që e shoqëron atë. Ne sot kemi pagë minimale në nivelin 40 mijë lekë ndërkohë që në vitin 2013 paga minimale ishte 22 mijë lekë, dhe ne synojmë që të krijomë një piramidë të pagave, duke përmirësuar hierarkinë e tyre. Sa i përket efektit financiar të kësaj reforme, është 39 miliard lekë dhe janë mbi 130 mijë punonjës të cilët do të përfitojnë nga kjo reformë”, tha Ibrahimaj.

Në të njëjtën linjë me të ishte dhe deputetja Blerina Gjylameti, njëherësh kryetare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat e cila falënderoi të gjithë kolegët, kryesisht ata të opozitës, që sipas saj në komisionet parlamentare kanë shprehur mbështetjen për reformën e pagave.

“Një prej pr.ligjeve më të rëndësishëm në këtë mandat dhe ato të mëparshmet. Nuk vjen në një moment i pakonsultuar dhe i pabazuar në atë që do ishte një rritje ekonomike të qëndrueshme, në 2013 gjetëm një ekonomi të rrënuar.

Pas 3 goditjeve të mëdha që ka marrë ekonomia, tërmeti, pandemia dhe krizë mbarëbotërore, kriza e inflacionit si pasojë e agresionit rus, ky lajm i sotëm prek çdo qytetar shqiptarë.

Në 3 sektorët kryesor që është ndërhyrë në vite, kemi ndërhyrë me prioritet.

Sot prekim çdo buxhet familjar. Kjo do jetë impuls i ri në ekonominë shqiptare dhe do shërbejë për shërbime shumë më të mira publike.

Të gjithëve na bën të ndihemi mirë, si mazhorancë dhe opozitë. Falenderoj kolegët e opozitës që kanë qenë mbështetës të reformës, sot ne prekim çdo sektor”, tha Gjylameti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme